Telegrafi

Presidenti Bush dhe Kryeministri japonez bisedojnë mbi takimin ekonomik

Në një deklaratë të kësaj ministrie thuhet se të dy udhëheqësit biseduan në telefon dhe ranë dakord që takimi të mbahet sa më parë që të jetë e mundur pas zgjedhjeve presidenciale të 4 nëntorit.

Sipas ministrisë së jashtme japoneze, kryeministri Aso mirëpriti përpjekjet e presidentit Bush për të stabilizuar ekonominë botërore dhe që Japonia të luajë një rol udhëheqës si organizatore e Grupit të 8 fuqive botërore.

Këtu në Shtetet e Bashkuara, Drejtori i Rezervës Federale, apo Bankës Qendrore, Ben Bernanke, i kërkoi dje Kongresit të hartojë një tjetër paketë stimujsh për të ndihmuar ekonominë e vendit të rimëkëmbet nga kriza financiare globale.

Zoti Bernanke tha para një komisioni të Kongresit se pa një paketë tjetër stimujsh, ekonomia amerikane rrezikon një ngadalësim që do të zgjasë shumë.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se Presidenti Bush do ta shqyrtonte një mundësi të tillë. Aksionet në Shtetet e Bashkuara u ngritën dje ndjeshëm, pas këtij lajmi. Indeksi Dau Xhons u mbyll dje me një ngritje prej 5 për qind.

Ndërkohë sot, tregjet në Azi nuk kanë reaguar me shumë entuziazëm. Indekset kryesore të aksioneve në Tokio dhe Sidni u ngritën 3 për qind, ndërsa në Hong Kong dhe në Seul ato pësuan rënie.

Edhe indekset kryesore të Evropës u ngritën ndjeshëm, të kryesuara nga ngritja me 2 për qind në Paris. /WOA/