Telegrafi

Presidenti i Bundestagut gjerman i dërgon letër urimi Konjufcës, shpreh gatishmërinë për takim në Berlin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde i cili i dorëzoi një letër urimi nga Presidenti i Bundestagut gjerman, Wolfgang Schäuble i cili është shprehur i gatshëm që ta pres Konjufcën në takim në Berlin.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde e ka uruar Konjufcën për detyrën e re në krye të legjislativit, duke shprehur mbështetjen e Gjermanisë për institucionet e vendit në arritjen objektivave zhvillimore dhe integruese.

Me këtë rast, Rohde i ka dorëzuar Konjufcës edhe një letër-urim të Presidentit të Bundestagut Gjerman, Wolfgang Schäuble, përmes së cilës, veç tjerash, konfirmohet vazhdimi i mbështetjes së Gjermanisë për Kosovën si partnere e besueshme, si dhe gatishmëria e Schäuble për një takim në Berlin me kryekuvendarin Konjufca.

Ai po ashtu ka konfirmuar mbështetjen për Kosovën në luftën kundër pandemisë, si dhe sigurimin e vaksinave anti-Covid.

Gjermania është financuesi më i madh i vaksinave COVAX, prej nga Kosova tashmë ka pranuar kontigjentin e parë dhe është në pritje të kontigjentit të dytë.

Konjufca e falënderoi ambasadorin për mbështetjen e çmuar që Gjermania ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën, përfshirë projekte të shumta zhvillimore në fusha të ndryshme, si dhe ndihmën në përballje me pandeminë Covid-19.

Ata biseduan edhe për zhvillimet aktuale politike, duke shprehur përkushtimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë. /Telegrafi/