Presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva po shërohet në kujdesin intensiv pasi iu nënshtrua një operacioni urgjent ngase një skanim MRI zbuloi gjakderdhje në tru.
Një deklaratë nga Spitali Sirio-Libanes në Sao Paulo, tha se operacioni shkoi “pa komplikime”, shkruan cnn.
Lideri i së majtës braziliane ishte nën monitorim pas një kraniotomie dhe ishte “mirë”. Sipas NHS, një kraniotomi është një procedurë kirurgjikale në të cilën një neurokirurg heq përkohësisht një pjesë të kafkës për të hequr një hematomë. Një operacion i tillë zakonisht kryhet nën anestezi të përgjithshme.
Spitali ia atribuoi gjakderdhjen intrakraniale një aksidenti që Lula pësoi në muajin tetor, kur 79-vjeçari u rrëzua teksa bënte dush në Pallatin Alvorada, rezidenca zyrtare presidenciale në Brasilia. Aksidenti e detyroi Lulën të anulonte një udhëtim në samitin e BRICS në Rusi dhe i la atij disa qepje.
Lula u shtrua në një spital në Brasilia të hënën në mbrëmje pasi u ankua për një dhimbje koke. Pasi u zbulua gjakderdhja, ai u transferua 1000 km në jug në një nga spitalet më të mira braziliane në Sao Paulo, ku operuan mjekët. Paraditen e së martës është parashikuar të mbahet një konferencë për mediat me më shumë detaje mbi gjendjen e Lulës.
Ndryshe, gazeta O Globo shkruan se Lula ka mbërritur në Sao Paulo rreth orës 23:00 të së hënës pasi nuk ndihej mirë gjatë pasdites. Në orën 4:45 të mëngjesit ai u operua dhe po shërohej, duke fjetur. /Telegrafi/