Site icon Telegrafi

Presidenti Biden i bën thirrje demokratëve të bashkohen, beson tek fitorja në zgjedhje

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë thirrje për bashkim të partisë për ta mposhtur atë që e quajti “vizion i errët” që përfaqëson kundërshtari i tij politik, ish-presidenti Donald Trump.

Komentet e Bidenit vijnë përballë trysnisë së demokratëve në nivelet më të larta, që po kërkojnë nga ai të largohet nga gara presidenciale dhe të hapë rrugë për emërimin e një kandidati të ri.

Përfshirë gjashtë ligjvënës demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, që iu bashkuan zërave kundërshtarë – ka arritur në 28 numri i atyre që duan që Bideni të tërhiqet nga gara pas paraqitjes së dobët në debatin me Trumpin.

Bëhet e ditur se presidenti Biden ndodhet i izoluar në shtëpinë e tij në Dellauer, pas infektimit me COVID-19, por ai tha se java tjetër do ta gjejë atë në fushatë.

Biden, i cili këmbëngul se mund ta mposhtë kandidatin republikan Donald Trump, po konsultohet me familjen dhe po mbështetet tek disa këshilltarë të tij të besueshëm ndërkohë që po përpiqet t’u rezistojë përpjekjeve për ta larguar nga gara.

Në një deklaratë Biden tha se fjalimi i Trumpit në Kuvendin Kombëtar Republikan, shpalosi “një vizion të errët për të ardhmen”.

Presidenti, që po përpiqet ta spostojë bisedën politike nga e ardhmja e tij tek agjenda e kundërshtarit, tha se ka në plan t’i rikthehet fushatës javën e ardhshme.

Ai këmbënguli se pavarësisht shqetësimeve të disa zyrtarëve të partisë, ai mund t’i fitojë zgjedhjet e nëntorit.

“Bashkarisht, ne mundemi dhe do ta mposhtim atë tek kutia e votimit”, deklaroi Biden.

“Rreziku është i lartë dhe zgjidhja është e qartë. Së bashku, do të fitojmë”.

Lexo po ashtu Trump bëri më shumë se 20 pretendime të rreme në RNC - CNN përmblodhi disa prej kryesoreve

Ndërkohë, udhëheqësja e fushatës së tij, Jen O’Malley Dillion, pranoi se ka “rënie” të përkrahjes për presidentin, por këmbënguli se ai “absolutisht” do të qëndrojë në garë dhe se fushata e tij konsideron se ka “disa mënyra” për ta mposhtur Trumpin.

“Kemi shumë punë për të siguruar amerikanët se po, është i moshuar, por ai mund të fitojë zgjedhjet”, deklaroi Dillion.

Por, ajo tha se votuesit e shqetësuar rreth aftësisë së Bidenit për të udhëhequr vendin, nuk kanë vendosur aspak të votojnë Trumpin.

“Ata kanë pyetje, por po qëndrojnë me Joe Bidenin”, tha Dillion.

Në të njejtën kohë, dega e Komitetit Kombëtar Demokrat mbajti një takim, duke vazhduar me planet për një votim virtual më 7 gusht për të emëruar të përzgjedhurin e partisë për president para kuvendit të partisë që do të mbahet në fund të gushtit në Çikago.

Këto janë ditë tejet të rëndësishme për presidentin dhe partinë e tij: Trump sapo përmbylli Kuvendin Kombëtar Republikan në Miluoki me entuziazëm. Ndërkohë, demokratët, që po luftojnë me kohën, po shqyrtojnë mundësinë e jashtëzakonshme që Bideni të tërhiqet nga gara zgjedhore për t’i lëshuar rrugën një të emëruari të ri.

Përfaqësuesit Jared Huffman, Mark Veasey, Chuy Garci dhe Mark Pocan – që përfaqësojnë një grup të gjerë të Partisë Demokratike në Kongres – bën një thirrje të përbashkët për largimin e Bidenit nga gara.

“Duhet ta mposhtim Donald Trumpin për ta shpëtuar demokracinë tonë”, thanë ata.

Në një shkrim të veçantë, përfaqësuesi Sean Casten i Illinoit shkroi se “me zemër të thyer dhe pas një reflektimi personal” ai, gjithashtu, i bën thirrje Bidenit “të bartë stafetën tek gjenerata e re”.

Ndryshe, zyrtarët e fushatës thanë se Biden është edhe më i përkushtuar të qëndrojë në garë përkundër thirrjeve për t’u tërhequr.

Sipas tyre, këshilltarët e lartë të presidentit në Shtëpinë e Bardhë nuk kanë patur biseda të brendshme me presidentin për largimin e tij nga gara.

Por, ende mbetet kohë për të rishqyrtuar këtë qëndrim. /VOA/

Exit mobile version