Telegrafi

Presidenti Bamir Topi takon botuesit shqiptarë

Përfaqësuesit e botuesve, Fatmir Toçi, Petrit Ymeri dhe Teodor Misha, i parashtruan presidentit Topi shqetësimin e tyre në lidhje me ligjin e votuar me nxitim nga Parlamenti Shqiptar, në ditët e fundit të vitit 2007, që bën fjalë për rivendosjen e taksës mbi vlerën e shtuar (TVSH) mbi librat, shtypin, periodikët etj. që vijnë nga jashtë kufijve të Shqipërisë, në emër të mbrojtjes së prodhimit tipografik vendas.

Botuesit argumentuan se kjo masë e nxituar do të sillte efekte negative, në radhë të parë, për lexuesit shqiptarë, sepse do të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen e çmimeve dhe, si rrjedhojë, uljen e lexueshmërisë. Po ashtu u theksua shqetësimi se ky ligj i votuar bie ndesh me Marrëveshjen e Asociim–Stabilizimit dhe OBT-së që shteti shqiptar ka nënshkruar me vendet e Bashkimit Evropian, si dhe me disa nene të Kushtetutës së Shqipërisë.

Presidenti Topi ndërkaq tha se ishte në dijeni të çështjes, se kishte ndjekur me vëmendje reagimet në media të grupeve të ndryshme të interesit, si dhe qëndrimet e intelektualeve e krijuesve shqiptarë që i ishin drejtuar atij me një letër të hapur.

Ai u shpreh në parim për mbështetjen e politikave kulturore për nxitjen e leximit dhe sigurimin e mundësive të barabarta të të gjitha hallkave që merren me punën me librit. Presidenti i siguroi botuesit se do ta studionte me përparësi problemin në fjalë dhe do të merrte vendimin e duhur në një periudhë të shkurtër dhe brenda afateve ligjore, ka njoftuar Zyra e shtypit e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.