Presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo, ka rikujtuar se klubi i tij e ka mposhtur Juventusin në të kaluarën dhe e ka në plan ta bëjë të njëjtën gjë edhe në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve.
Skuadra spanjolle është vënë përballë kampionit italian në shortin për fazën e parë të eliminimit direkt në garën më të madhe evropian për klube.
Ndërsa këto ekipe kanë luajtur për herë të fundit në fazën grupore në edicionin 2014/2015. Asokohe, Atletico e kishte mposhtur Juven në Madrid (1-0), ndërsa ndeshja në Torino ishte mbyllur baras (0-0).
Rojiblancos e kishin fituar grupin (ku bënin pjesë edhe Olympiacosi dhe Malmo), por Bianconerët arritën deri në finale (ku u mposhtën nga Barcelona).
“Nuk është hera e parë që kemi luajtur kundër tyre, ndërsa edhe kemi fituar”, ka thënë Cerezo në një prononcim për AS.
“Motivim për ne është fakti se finalja do të luhet në stadiumin tonë”, ka shtuar presidenti i Atleticos.
Kujtojmë që finalja e Ligës së Kampionëve do të zhvillohet më 1 qershor 2019 në Wanda Metropolitano në Madrid. /Telegrafi/