Presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo ka deklaruar publikisht se trajneri Diego Simeone nuk do të shkojë askund, pavarësisht spekulimeve të fundit se ata kanë filluar kërkimin për zëvendësuesin e tij.
Simeone ka qenë në klub për gati 13 vjet, duke sjellë periudhën e tyre më të suksesshme në historinë e tyre dhe duke vendosur Los Colchoneros si forcën e tretë në futbollin spanjoll.
Megjithatë, pas dy sezoneve zhgënjyese, dhe një fillimi të dobët këtë sezon, Simeones ka filluar t’iu lëkundej karrigia, por jo edhe sipas presidentit Cerezo.
“Nuk janë të çuditshme [spekulimet] dhe as më bezdisin, pyetjet që bëni gjithmonë, nuk e di se si nuk mërziteni, sepse gjithmonë bëni të njëjtat pyetje”, ka thënë fillimisht Cerezo për Mundo Deportivo.
“Ne jemi të kënaqur me menaxherin, kemi një skuadër të shkëlqyer, jemi në tri vendet e para dhe në distancë prekëse nga lideri. Nëse e shikojmë situatën, mendoj se është shumë mirë, kështu që nuk e kuptoj pse po pyesim nëse do të qëndrojë, nëse do të shkojë”.
“Ajo që na intereson është të fitojmë sot. Menaxheri nuk po shkon askund dhe as dikush tjetër. Këtu të gjithë janë të lumtur. Dhe ju djelmosha, kur fitojmë, edhe nëse ndeshja nuk ju pëlqen, duhet të thoni ‘bravo’ për fitoren”, përfundoi presidenti i Atleticos. /Telegrafi/