Site icon Telegrafi

Presidenti Assad arrin në punë pas sulmeve të udhëhequra nga SHBA-të në Siri (Video)

Presidenca siriane ka postuar një video në Twitter e cila thuhet se tregon presidentin Bashar al-Assad duke shkuar në vendin e tij të punës, pas një sulmi të udhëhequr nga SHBA-të, në përgjigje të sulmit të dyshuar të armëve kimike.

Siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, videoja e shkurtër, e cila zgjat pak sekonda, tregon Assadin në një kostum dhe me një çantë duke ecur në hyrjen me mermer të një ndërtese.

Videoja u postua të shtunën në mëngjes pasi SHBA, Britania e Madhe dhe Franca nisën sulmet ajrore në Siri në hakmarrje për sulmin e dyshuar kimik nga qeveria e Asadit në Douma, pranë Damaskut.

Ndërkohë, pas sulmit kanë ardhur reagimet e para.

Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, ka paralajmëruar se sulmet e Shteteve të Bashkuara mbi Sirinë “nuk do të mbeten pa pasoja”.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mbështetur aksionin ushtarak në Siri, të ndërmarrë nga SHBA, Franca dhe Britania e Madhe.

Përmes një komunikatë dërguar mediave, aleanca veri-atlantike ka shprehur qëndrimin se ky veprim do të zvogëlojë mundësinë e regjimit për sulme të tjera kimike mbi sirianët.

Ndërkohë, kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May në një deklaratë drejtuar popullit të saj tregoi se si ua kishte dhënë urdhrin Forcave Britanike për sulm, për t’i dhënë fund përdorimit të armëve kimike nga regjimi i Bashar Al Asad.

May pohoi se e kishte marrë këtë veprim ushtarak për shkak se konsideron se mbron të drejtat kombëtare të britanikëve, ndërsa shtoi se nuk kishin asnjë alternativë tjetër. /Telegrafi/

Exit mobile version