Telegrafi

Presidenti Ashraf Ghani largohet nga Afganistani

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, është larguar nga kryeqyteti Kabul për në Taxhikistan, ka thënë të dielën një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme afgane, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

E pyetur për koment, zyra e presidentit tha se “nuk mund të thotë asgjë për lëvizjen e Ashraf Ghani për arsye sigurie”, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, një zyrtar taleban i tha Reuters se ata po kontrollonin raportet në lidhje me largimin e Ghani nga vendi.

Lexo po ashtu Përfaqësuesit talebanë në pallatin presidencial të Kabulit - zyrtari i qeverisë afgane kërkon të qetësojë banorët në panik të Kabulit

Ndryshe, një zyrtar i lartë i ministrisë së brendshme kishte thënë për Reuters se rebelët talebanë po vinin “nga të gjitha anët” në kryeqytet, por nuk dha detaje të tjera.

Sidoqoftë, nuk kishte raportime për luftime.

Talibanët filluan një ofensivë në Kabul, pasi rrethuan kryeqytetin e Afganistanit, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme të vendit.

Sipas raportimit të mediave, militantët kanë marrë kontrollin e Universitetit të Kabulit, i vendosur në perëndim të kryeqytetit afgan.

Sipas ministrisë, talibanët madje ngritën flamujt në një nga zonat e qytetit jo shumë larg universitetit.

Televizioni Al-Arabiya raportoi se talibanët njoftuan se do t’u siguronin të gjithëve që donin ta bënin këtë mundësi për t’u larguar nga Kabuli.

Pak para se talibanët të hynin në Kabul, kalimi kufitar Torkham me Pakistanin, pozicioni i fundit ende nën kontrollin e qeverisë afgane, i përkiste një grupi taleban. Kështu, rebelët tani kontrollojnë të gjitha pikat kufitare në Afganistan.

Si pasojë e zhvillimeve, Shtetet e Bashkuara evakuuan diplomatët nga ambasada e tyre me helikopter dhe një ministër i qeverisë tha se pushteti do t’i kalonte një administrate të përkohshme.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid tha në një deklaratë se grupi ishte në bisedime me qeverinë për një dorëzim paqësor të Kabulit.

Lexo po ashtu Talebanët hyjnë në kryeqytetin afgan, diplomatët amerikanë evakuohen me helikopter

“Luftëtarët talebanë do të jenë në gatishmëri në të gjitha hyrjet e Kabulit derisa të arrihet një transferim paqësor dhe i kënaqshëm i pushtetit”, citohet një deklaratë.

Hyrja në kryeqytet tregon një përparim rrufe nga talebanët të cilët u dëbuan nga Kabuli 20 vjet më parë nga Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit. /Telegrafi/