Site icon Telegrafi

Presidenti amerikan nderon Hazirin me çmim special për kontributin në shërbim të komunitetit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nderuar kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, me çmim special për angazhimin e jashtëzakonshëm në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik.

Në emër të Shtëpisë së Bardhë, çmimin ia ka dhuruar sot kryetarit Haziri, ambasadori, Dr. Otto F. Von Feigenblatt.

“Kosova si vend, po edhe Gjilani si qytet, janë me fat që kanë një lider si zotëri Lutfi Haziri. Si një i huaj, unë ndihem i mrekulluar kur shoh procesin e gjatë që ka kaluar Kosova dhe sa shumë është bërë në këtë vend. Është shumë e rëndësishme që e gjithë bota ta marrin vesh që Kosova po ecën përpara”.

“Kontributi im i vogël dhe modest është që e kam propozuar dhe mbështetur nominimin e z. Haziri për këtë çmim të presidentit Donald Trump, i cili vije për të gjitha kontributet që jepen në jetë, për veprat dhe për meritat që ka në ndryshimet e mëdha sociale në komunitet. Kështu që, unë kam ardhur me autoritetin për ta dhënë këtë çmim i cili është nënshkruar nga presidenti Trump. Pra jepet nga Shtëpia e Bardhë për njerëzit që kanë dhënë kontribute të mëdha sociale, jo vetëm për vendin e tyre, por edhe për zhvillimin në botë”, ka thënë ambasadori Von Feigenblatt.

Me të pranuar çmimin, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se kjo është një mirënjohje e madhe që i jepet jepet qytetarëve të Gjilanit për krejt atë viktimizim, sakrificë dhe dhembje që e kemi kaluar.

“Një çmim i tillë që më jepet nga Shtëpia e Bardhë dhe presidenti Trump, është një mirënjohje që i jepet qytetarëve të Gjilanit për krejt atë viktimizim, sakrificë dhe dhembje që e kemi kaluar. Me qenë në shërbim të komunitetit, në shërbim të qytetarëve, është misioni më i shenjtë. Ne këtë e kemi bërë pa kurrfarë kërkese. Do të vazhdojmë ta bëjmë në interes të paqes, tolerancës dhe të dialogut, vlera të cilat vazhdojmë t’i kultivojmë dhe t’i bartim tek gjeneratat e reja për t’i bërë rrugët më të lehta’, theksoi Haziri.

“Për këtë shërbim që na është njohur, e në këtë rast, mua më është adresuar, faleminderit shumë prej presidentit Trump dhe Shtëpisë së Bardhë. Është shërbim për komunitetet që Gjilani i ka bërë për 19 vite të pasluftës, duke i ruajtur pakicat, duke e ruajtur kishën “Shën Nikolla” që të mos digjet, duke i ruajtur xhamitë dhe teqet dhe duke i rindërtuar ato, duke i ruajtur pakicat politike dhe duke i integruar ato në jetën tonë. Ne jemi bashkë dhe kjo jetë që na është dhënë nga Zoti nuk e ka të drejtën askush ta cenoj. Këtë çmim ia dedikoj familjes time, prindërve të mi dhe familjes politike që është Gjilani”, ka thënë Haziri. /Telegrafi/

Exit mobile version