Telegrafi

Donald Trump uron Thaçin për 10-vjetorin e pavarësisë: Ne e shikojmë Kosovën si një partnere të rëndësishme të SHBA-ve

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka takuar sot ambasadorin amerikan, Greg Delawie, nga i cili në prag të shënimit të dhjetëvjetorit pranoi urimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

“Në emër të popullit amerikan, e përgëzoj Kosovën në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së saj. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në forcimin e sovranitetit dhe demokracisë shumetnike. Ndërkohë që duhet bërë edhe më shumë punë, ne përgëzojmë përparimin tuaj”, thuhet në letër.

“Ndërsa vendi juaj po hyn në dekadën e dytë të shtetësisë, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën që të ndërtojë themele të forta të parimeve të përbashkëta demokratike, bashkëpunimit rajonal dhe sundimit të së drejtës. Duke vepruar kështu, Kosova do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt integrimit në Komunitetin Perëndimor të Kombeve. Ne e shikojmë Kosovën si një partnere të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara. Në këtë rast historik i uroj gjithë të mirat qytetarëve të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në letrën e presidentit Trump. /Telegrafi/