Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka pranuar letër nga presidenti amerikan Donald Trump, të ngjashme me atë që sot e ka pranuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Këtë e ka konfirmuar një këshilltar i presidentit serb. Lajmin e publikoi Politico.eu, duke theksuar se në Trumpi në letër shkruan për mundësinë që Thaçi dhe Vuçiq të takohen në Shtëpinë e Bardhë në rast të arritjes së marrëveshjes.
“Vuçiq ka pranuar letër të ngjashme nga Trumpi”, citohet të ketë thënë këshilltari i Vuçiqit për media.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar të martën një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përmes së cilës presidenti amerikan kërkon nga presidenti Thaçi dhe liderët e Kosovës që të shfrytëzohet ky moment unik, që të flasin me një zë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë.
“Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë”, ka shkruar Trump, në letrën që i ka dërguar Thaçit./Telegrafi/