Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, përmes një postimi në rrjetet sociale ka kujtuar ndeshjen mes Flamurtarit dhe Prishtinës që kishte qenë e para e cila ishte organizuar nga Federata e Pavarur e Futbollit të Kosovës.
Ademi e ka cilësuar këtë ditë si historike për futbollin kosovar, e cila njëherësh shënoi fillimin e periudhës së pavarësimit të futbollit nga regjimi i atëhershëm serbosllav.
Gjatë kësaj periudhe u themelua edhe FFK-ja e pavarur, e cila atë kohë kishte qenë nën drejtimin e kryetarit Agim Bytyqi.
“Sot shënojmë një ditë historike për futbollin kosovar, ditën kur u zhvillua ndeshja e parë e mëvetësimit të futbollit tonë, ndërmjet Flamurtarit dhe Prishtinës, organizuar nga Federata e Pavarur e Futbollit të Kosovës, më 13 shtator të vitit 1991”.
“Kjo njihet njëherësh si fillimi i periudhës së pavarësimit të futbollit nga regjimi i atëhershëm serbosllav, me ç‘rast ishte themeluar FFK-ja e pavarur, nën drejtimin e kryetarit Agim Bytyqi”.
“Për të realizuar këtë nismë madhore dhe për të vënë në funksion federatën, u krijua një sistem i garave të reja dhe u zhvillua ndeshjen e parë historike”.
“Klubet u organizuan falë shpirtit sportiv dhe mbështetjes së donatorëve të palodhur, ndërsa të gjitha organet e nevojshme u themeluan për funksionimin e ligës”.
Tutje në postimin e tij Ademi ka përkujtuar të gjithë akterët që kontribuan gjatë asaj kohe si dhe ka falënderuar të gjithë personat që ofruan tokat e tyre për t’i kthyer në fusha të futbollit.
“Për shkak të përjashtimit nga objektet sportive nga regjimi serb, u improvizuan fusha të reja futbolli, duke rifilluar garat edhe në kushte të vështira”.
“Sot, me krenari përkujtojmë të gjithë bashkëpunëtorët dhe bashkëkohanikët që kontribuan në ato kohë: lojtarët, trajnerët, drejtuesit dhe donatorët e klubeve, gjyqtarët dhe delegatët”.
“Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që ofruan tokat e tyre për t’i kthyer në fusha futbolli. Këto fusha, që sot mund të jenë të ndërtuara apo toka të punuara, ishin dhe do të mbeten një pjesë e shenjtë e historisë së futbollit kosovar”
“Urime të gjithë atyre që janë ende mesin tonë e përkujtim i përjetshëm për ata që nuk janë më, por që dhanë kontributin e tyre që futbolli kosovar të ketë vazhdimësi edhe në kushte të vështira okupimi”, ka shkruar Ademi në rrjetet sociale./Telegrafi/