Telegrafi

Presidentes Jahjaga po ja do me Emiratet e Bashkuara Arabe

Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjagës, po i shkon shumë mirë muhabeti me sheikun e Emirateve të Bashkuara Arabe. Bashkë me stafin e saj, që si delegacion veçohet për nga numri i madh, ajo nuk po ia ndalë kurrë vizitave zyrtare atje. Shpenzimet e Presidentes për këto vizita, për të cilat zyra e saj ka kërkuar që t’i adresohemi me kërkesë për qasje në dokumente zyrtare, sipas burimeve të Telegrafit, janë të mëdha. Ajo deri më tash i ka vizituar disa herë Emiratet e Bashkuara Arabe, por zyra e saj nuk ka treguar se sa herë.

“Janë disa vizita zyrtare të presidentes Jahjaga në Emiratet e Bashkuara Arabe të realizuara që prej vitit 2012, me ftesë të mikpritësit. Asnjëherë asnjë vizitë e presidentes nuk është shoqëruar nga numër i madh i zyrtarëve nga kabineti, por nga një numër i saktë që i përgjigjet agjendës së parapërgatitur me shtetin mikpritës”, ka thënë zëdhënësi i Presidencës, Arbër Vllahiu.

Para një viti, presidentes Atifete Jahjaga i ishin dorëzuar mbi 30 projekte të shoqatave të grave, të cilave u ishte thënë se do t’u financohen nga fondi që presidentja ka siguruar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por këtyre grave nuk i është kthyer asnjë përgjigje deri më sot. “Janë një numër projektesh që po diskutohen me zyrtarët në Abu Dhabi për të investuar në Kosovë. Projektet të cilave ju i referoheni janë prezantuar tek zyrtaret në Abu Dhabi dhe për to vendosin vet zyrtarët e Abu Dhabit, e nuk bëhet fjalë për ndonjë fond të veçantë të siguruar”, ka thënë ai.

Burime të afërta me Presidencën, tregojnë se Jahjaga, ka gjasa të themelojë një fondë me emrin e saj “Ajo ka ndërtuar raporte shumë të mira me sheikun e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe me gjasë po synon që përmes fondeve nga ai, të themelojë një fondacion në Kosovë me emrin e saj. Por, ajo mund të shkojë edhe ambasadore e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe në 2016-të”, tregon burimi.

Por, kjo hedhet poshtë nga zëdhënësi i Presidencës, Arbër Vllahiu, i cili thotë se presidentja Atifete Jahjaga asnjëherë nuk ka folur në emrin e saj personal dhe asnjëherë nuk ka treguar tendenca të përfitimeve personale. “Çdo vizitë e saj është vizitë shtetërore dhe synimi është ndërtimi i marrëdhënieve bilaterale me shtete të ndryshme, zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik, tërheqja e investimeve të huaja, përfaqësimi i denjë i shtetit të Kosovës, konsolidimi ndërkombëtar i tij dhe ndryshimi i imazhit të keq që Kosova ka pasur deri në marrjen e mandatit nga presidentja Jahjaga”, ka thënë Vllahiu. /Telegrafi/