Telegrafi

Presidenca tërthorazi e pranon se ka trysni për zgjedhjen e Auditorit

Lista prej 11 kandidatëve në garën e ngushtë për Auditor të Përgjithshëm të Kosovës, sipas Zyrës së presidentes, mund të ndryshojë, shkruan sot Koha Ditore.

Burime të gazetës kanë bërë të ditur se ndaj Komisionit paravlerësues të themeluar nga Atifete Jahjaga me dekret, për përzgjedhjen e kandidatit që do t’i propozohet Kuvendit për Auditor, ka presione për të përfshirë njerëz politikë, e që janë eliminuar në fazën e parë të përzgjedhjes.

Presidenca ka konfirmuar se ka pranuar ankesa nga disa aplikues në konkursin për shefin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm. Madje ka lënë për të kuptuar se pas shqyrtimit të tyre mund të ndryshojë lista aktuale prej 11 kandidatëve, por pa dashur të flasë me emra se për cilët ankues bëhet fjalë.

“Komisioni profesional ka pranuar disa ankesa të aplikuesve në konkursin për auditor të përgjithshëm dhe të njëjtat do të shqyrtohen në ditët vijuese. Komisioni, pas vlerësimit të të gjitha aplikacioneve, do të përcaktojë listën përfundimtare të kandidatëve që i plotësojnë të gjitha kriteret për Auditor të Përgjithshëm dhe do të fillojë procesin e intervistimit të tyre”, ishte përgjigjja e Zyrës së presidentes. /Telegrafi/