Telegrafi

Presidenca shkelje me dhënie të subvencioneve

Organi më i lartë shtetërorë, Presidenca e Kosovës nuk ka përfillur rregullat gjatë dhënies së subvencioneve. Ky institucion në disa raste ka dhënë subvencione pa vendime. Kështu ka vlerësuar Auditori i Përgjithshëm në Raportin për Pasqyrat Financiare të Zyrës së Presidentit të Kosovës për vitin 2014.

Auditori ka gjetur se në dy pagesa të subvencioneve në vlerë prej 6 mijë euro, nuk kishte vendime. “Ishte vetëm një shkresë e ZKA-së për ZKF-në, që të bëhet pagesa me arsyetimin që presidentja është pajtuar për të dhënë këtë subvencion. Pas këshillës së dhënë në memon e auditimit ZPK ka filluar të lëshojë vendime për dhënien e subvencioneve”, thuhet në raport, raporton ORAinfo.

Auditori vlerëson se dhënia e subvencioneve pa vendime përkatëse, rrit rrezikun e pagesave të parregullta dhe krijon një dukuri të anashkalimit të kritereve dhe rregullave të paracaktuara.

Auditori ka rekomanduar sekretarin e Përgjithshëm se duhet të vazhdojë të sigurojë se procesi i dhënies së subvencioneve bazohet në rregulla financiare dhe mbështetet me vendime përkatëse për të siguruar një monitorim efektiv.

Auditori po ashtu ka pasur vërejtje edhe sa i përket sevisimit të automjeteve në Presidencë. “Për servisimin e automjeteve, ZPK kishte kontratë kornizë nga 17.07.2012 për një periudhë 3 vjeçare. Në kontratë ishte specifikuar që në rastet kur pjesët e automjeteve nuk janë të parapara me kontratë, mund të furnizohen (rregullohen), por vetëm pas vlerësimit nga komisioni i cili do të emërohet për këtë qëllim. Gjatë testimit të dy pagesave në vlerë totale prej 9,189 euro, vërejtëm se një numër i artikujve të furnizuar në vlerë prej 2,569 euro, nuk kishin qenë të specifikuar në kontratë por që ishin faturuar me përshkrimin “diagnostifikim kompjuterikë”,
por pa u formuar komisioni siç parashihet në kontratë”, thuhet në raport .

Auditori vlerëson se furnizimi me pjesë të automjeteve të cilat nuk ishin të kontraktuara dhe pa formuar komision siç parashihej me kontratë, rrit rrezikun që pjesët e automjeteve të ndërrohen edhe kur nuk është e nevojshme dhe çmimet e pjesëve të jenë mbi çmimet e tregut.

Auditori rekomandon sekretarin e përgjithshëm që përmes menaxherëve të ushtrojë kontrolle të shtuara te kontratat kornizë gjatë zbatimit të tyre në mënyrë që të gjitha specifikat e parapara me kontratë të implementohen në tërësi. /ORAinfo/Telegrafi/