Site icon Telegrafi

Presidenca: Së shpejti shqiptarët e Luginës mund ta marrin nënshtetësinë e Kosovës

Artan Murati, këshilltar i presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, ka bërë të ditur  se së shpejti shqiptarët e Luginës së Preshevës do të mund ta marrin nënshtetësinë e Kosovës.

Përmes një shkrimi në Facebook, Murati tha se Qeveria në ditët e fundit të vitit që lamë pas, ka miratuar një koncept-dokument për Shtetësinë, prej të cilit do të dalë Ligji i ri për Shtetësinë.

Ai tha se kushti i vetëm që do të duhet ta plotësojnë shqiptarët që jetojnë në Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc, është qëndrimi në Kosovë për pesë vjet, nga data 12.06.1999 deri me datë 31.12.2021

“Shumë i lumtur që në këtë koncept-dokument, prej të cilit më pas do të dalë edhe Ligji i ri për Shtetësinë, është përfshirë komenti dhe propozimi i Zyres së Presidentes, i cili do t’ua mundësojë shqiptarëve nga Medvegja, Presheva e Bujanoci të pajisen me shtetësi të Republikës së Kosovës”.

“Më konkretisht, të gjithë qytetarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilët kanë qëndruar në Republikën e Kosovës së paku 5 vite nga data 12.06.1999 deri me datë 31.12.2021, do të kenë të drejtën e fitimit të Shtetësisë bazuar në rregullimin e kornizës ligjore me këtë Koncept Dokument, ndërsa sa i përket kritereve procedurale do të rregullohet me akte nënligjore që nxirren nga Ministria e Punëve të Brendshme”.

“Shqiptarët e Luginës nuk do të anashkalohen asnjëherë. Koordinimi institucional është i nivelit më të lartë, dhe kjo do të sjellë rezultate pozitive. Hapi i rradhës: hartimi i projektligjit dhe më pas miratimi i tij në Kuvend. Po duket vit i mbarë në këtë drejtim”, shkroi Murati, njofton Telegrafi.

Exit mobile version