Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është duke e pritur certifikimin e rezultateve zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit dhe pastaj do të veprojë në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese për mandatimin e Qeverisë së re.
Kështu kanë deklaruar zyrtarët e Presidencës, ndonëse nuk kanë dhënë më shumë detaje se a do ta mandatojë i pari i shtetit edhe partinë e dytë për ta formuar Qeverinë nëse koalicioni më i madh nuk mund t’i sigurojë numrat e nevojshëm në Kuvend.
“Presidenti nuk mund të ndërmarrë veprime pa u bërë certifikimi i rezultateve zgjedhore. Pas certifikimit, brenda afateve të përcaktuara, ai do të veprojë në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në përgjigjen e shkurt nga Presidenca për gazetën “Zëri”.
Në anën tjetër njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se duhet shpejtuar në formimin e institucioneve, pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme.
Ish-ambasadori i Maqedonisë në Bashkimin Evropian, Blerim Reka, i cili njëherësh është njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, ka thënë për “Zërin” se nëse Kosovës para tre vjetësh iu deshën gjashtë muaj të humbura për ta formuar Qeverinë, tani nuk e ka luksin që t’i humbë edhe gjashtë muaj apo më shumë në beteja të panevojshme të inateve ndërpartiake. /Zëri/