Telegrafi

Presidenca konfirmon Auditorin e ri

Presidentja Atifete Jahjaga ka dorëzuar të hënën në Kuvend emrin e Valbon Bytyqit, kandidat të saj të propozuar për shef të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës (ZAP). Kjo u konfirmua si nga zyrtarët e Kuvendit, ashtu edhe nga Zyra e presidentes.

“Sot është dorëzuar kandidati që ju përmendët, tash i mbetet Kryesisë së Kuvendit që të vendosë për datën se kur do të vendoset në votim”, ka thënë të hënën këshilltari i presidentes, Selim Selimi. Valbon Bytyqi aktualisht punon si auditor në ZAP, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ai ishte kandidati që sipas burimeve të gazetës kishte mbledhur më së shumti pikë nga Komisioni paravlerësues i dekretuar nga presidentja Jahjaga me qëllim të vlerësimit. Ky Komision, që ishte themeluar më 1 prill të këtij viti, kishte përzgjedhur tre më të mirët, nga 25 aplikantë sa kishin konkurruar në konkursin e hapur.

Ndër ta ishte edhe anëtari i Bordit aktual të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Ilaz Duli, si dhe drejtori aktual i Auditimit të Brendshëm në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Ujkan Bajra. /Telegrafi/