Telegrafi

Presidenca: Inaugurimi nuk kushtoi 1 milion, por 100 mijë euro

Ceremonia e inaugurimit të Hashim Thaçit President, që u tha se kushtoi rreth 1 milion euro, sipas zyrës së Presidentit ka kushtuar shumë më pak.

Zyra e Presidentit ka thënë se ceremonia e me rastin e pranim-dorëzim të detyrës së presidentit ka kushtuar afërsisht 100 mijë euro.

Këshilltari i Presidentit të ri, Adri Nurellari për “zëri.info” ka thënë se  shuma e përfolur prej një milioni është qesharake.

Ai thotë se shpenzimet mund të kenë shkuar deri në 100 mijë euro.

Por sipas tij në ditët në vijim presidenca do të del me raport zyrtar mbi shpenzimet e ceremonisë së inaugurimit të Thaçit.

“Me sa e di unë, janë tre institucione të ndryshme që kanë mbuluar shpenzimet dhe së shpejti dalin me një raport financiar. Por shuma 1 milion është qesharake, s’besoj se arrin as 1/10 e asaj shume”, ka thënë Nurellari.

Presidenti Hashim Thaçi në ceremoninë e tij kishte ftuar rreth 1 mijë mysafir nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës.

Të vetmit homolog që morën pjesë në inaugurim ishin Presidentja e Kroacisë Grabar-Kitaroviq dhe Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani. /zëri/