Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike është dekretuar nga Zyra e Presidencës.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Artan Murati këshilltar i ushtrueses së detyrës së presidentes Vjosa Osmani.
Murati tha se dekretimi i Ligjit është bërë në momentin që është sjellë nga Kuvendi.
“Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike është dekretuar dje, në momentin që është sjellë nga Kuvendi”, tha Murati.
Pas dekretimit nga Presidenca, Ligji pritet të publikohet në në Gazetën Zyrtare ku brenda 15 ditëve do të hyn në fuqi.
Të premten, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kanë votuar në lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike nga pandemia COVID-19.
Të mërkurën, Komisioni për Buxhet dhe Transfere kishte votuar raportin e Projektligjit me katër amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.
Njëra nga këto amendamente është rimbursimi nga Qeveria e Kosovës së 10-përqindëshit të mjeteve të tërhequra nga Fondi Pensional, për të gjithë ata që kanë më pak se 10 mijë euro.
Në dispozitat e këtij Ligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia.
Ky Ligj kishte dështuar të votohej për të nëntën herë, që nga muaji gusht, kur ishte prezantuar për herë të parë në Kuvend.
Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.
Ky ligj do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021, përjashtimisht disa dispozitave që do të jenë të vlefshme deri në vitin 2028. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Me anë të këtij Ligji parashihet zbatimi i Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/