Site icon Telegrafi

Presh me beshamel të bërë me miell orizi

Ju duhen pak përbërës për të pasur një pjatë të tillë plot shije. Me beshamelin e bërë me miell orizi, është e përshtatshme dhe për ju që jeni të ndjeshëm ndaj glutenit.

Përbërësit për 4 persona:

▪ 500 gr presh
▪ 2 lugë vaj ulliri
▪ 1 lugë me susam të zi ose të bardhë
▪ disa dege trumze
▪ 1 lugë me Parmigiano të grirë

Për beshamelin me miell orizi:

▪ 100 gr. gjalpë
▪ 100 gr. miell orizi
▪ 600 ml. qumësht
▪ Pakëz arrë myshku
▪ 1 lugë të vogël kripë
▪ Pak piper të zi

Përgatitja:

Pastroni preshtë mirë duke hequr pak pjesën e gjetheve dhe pritini në copa të mëdha gati në 3-she.

Vendosni të ziejnë në ujë me kripë për 10-15 minuta. Kullojini me kujdes që mos i prishni formën dhe renditini në një tavë të lyer me vaj ulliri poshtë. Shtoni gjethe trumze, pak piper të zi dhe kripë.

Ndërkohë përgatisni beshamelin duke shkrirë gjalpin, shtoni miellin e orizit dhe vazhdoni skuqeni por mos e lini të marr shumë ngjyrë, pastaj jashtë zjarrit shtoni qumështin, përzieni vazhdimisht që mos ju bëhet me kokrriza dhe vendoseni përsëri në zjarr që të trashet.

Shtoni kripën, piperin dhe arrën e myshkut dhe lëreni mbi zjarr duke e përzierë pa ndalë derisa të trashet.

Shtoni salcën sipër preshve duke i mbuluar plotësisht ato. Spërkateni sipërfaqen me djathë te grirë, susam dhe pak vaj ulliri sipër.

Piqeni në furrë e e nxehur më parë në 180°C derisa sipërfaqja të jetë e thekur mirë.

Shërbejeni të ngrohtë.

Exit mobile version