Site icon Telegrafi

Prenkaj: SHBA nuk kanë interes të dobësojnë pozicionin negociues të Kosovës në dialog (Video)

Ish-diplomati i Kosovës në Washington, Adrian Prenkaj, ka thënë se SHBA nuk ka interes të sheh një Kosovë më të dobët në pozicione negociuese me Serbinë.

Prenkaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, deklaroi se ish-ambasadorja e SHBA në OKB, Nikki Haley ka thënë se “në administratën e Trumpit të gjithë jemi në një mendim për Kosovën”.

“Unë besoj se SHBA nuk kanë interes të japin ndonjë deklaratë që do të dobësonte pozicionin negociues të Kosovës në dialog. Ata kanë qenë të qartë se çfarëdo marrëveshje e mundshme duhet të jetë e pranueshme për popullin, por edhe nga ana institucionale do të duhej të kalonte nëpër legjislaturat si të Kosovës edhe të Serbisë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Diplomati kosovar thotë se SHBA-të megjithatë janë në pritje se çfarë po sjellin negociatat e më pas të deklarohen nëse e pranojnë ndonjë marrëveshje të mundshme.

“Asnjë ide që nuk do të ishte e pranueshme për popullin për ta nuk do të ishte e pranueshme… Por ata ishin të kujdesshëm duke thënë se ne do të presim çfarë do të sjellin negociatat e më pas do të vendosim”.

Prenkaj thotë se pak muaj pas zgjedhjes së Trumpit në krye të SHBA-së, njëri nga këshilltarët e tij është pyetur për politikën ndaj Ballkanit dhe ai ka qenë i qartë.

“Sa i përket Ballkanit në do të konsultohemi me aleatët tonë evropianë. Kjo nënkupton se politika amerikane ndaj Ballkanit nuk ka ndryshuar. Amerikanët kur kanë vendosur të tërhiqen pak nga Ballkani këtë përgjegjësi i kanë lënë disa partnerëve evropianë, përfshirë Gjermaninë”, tha Prenkaj./Telegrafi/

Exit mobile version