Site icon Telegrafi

Premtuan, dështuan!

Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, mezi kishte arritur ta bindë para tetë ditëve kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit, Adem Mikullovcin, që seancën e radhës ta caktojë më 24 gusht (dje) me arsyetimin se në këtë ditë do ta zgjedhin kryeparlamentar shefin e partisë së tij, Kadri Veselin.

Por, edhe në ditën kur kërkuan të mbahej seanca koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) dështoi t’i sigurojë votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit, pasi që nuk arritën t’i bindin deputetët e AKR-së për t’i votuar, tek të cilët po i varin shpresat javët e fundit.

Ishte pikërisht Enver Hoxhaj ai i cili të enjten (më 24 gusht) nga foltorja e Kuvendit pranoi që ky koalicion nuk i ka votat e nevojshme të deputetëve, me ç’rast kërkoi përsëri më shumë se dhjetë ditë afat shtesë për ta caktuar seancën e radhës, shkruan gazeta Zeri.

“Ne jemi të interesuar ta zbatojmë me çdo kusht rezultatin zgjedhor, nuk jemi për humbje kohe dhe zvarritje. Presim qe ky mandat i Kuvendit të Kosovës t’i adresojë të gjitha temat. Si koalicion që ka të drejtën për ta propozuar kryetarin e Kuvendit kemi kërkuar kohë në këto javë të fundit, por jemi pjesë e politikës dhe gjërat funksionojnë ashtu. Në këto javë të fundit, por edhe sot, nuk e kemi pasur shumicën prej 61 deputetëve, prandaj kërkojmë më shumë se dhjetë ditë afat shtesë e më pak se dy javë”, ka thënë Hoxhaj.

Seanca e 24 gushtit, e gjashta me radhë në tentimin për konstituivin e Kuvendit pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të qershorit, u karakterizua me përplasje të ashpra mes kandidatit të lëvizjes “Vetëvendosje” për kryeministër, Albin Kurtit dhe kandidatit të koalicionit PAN për kryeparlamentar, Kadri Veselit. /Zëri/

Exit mobile version