Telegrafi

“Premtoj se do të jap më të mirën për Barcelonën” – Emerson i entuziazmuar në prezantimin te katalunasit

Barcelona prezantoi Emersonin në Camp Nou të hënën në mbrëmje, me mbrojtësin e djathtë duke folur për objektivat e tij në klub.

Presidenti i klubit Joan Laporta mirëpriti mbrojtësin e djathtë në klub, duke deklaruar se 22-vjeçari do të jetë një pjesë e rëndësishme e së ardhmes së Blaugranasëve dhe madje e krahasoi atë me ish-mbrojtësit e djathtë brazilianë, Dani Alves dhe Juliano Belletti.

“Është një kënaqësi e madhe të jem këtu në Barcelonë pasi kam thënë gjithmonë ëndrra ime ishte të luaja këtu për Barcelonën”, ka thënë Emerson në një konferencë shtypi.

“Unë dua të bëj një premtim për të gjithë. Në fushë, unë premtoj se do të jap më të mirën time. E di sa e vështirë është të jesh këtu dhe do të përfitoj nga mundësitë që më janë dhënë. Shkalla e punës sime nuk do të më dështojë. Mund të ketë rrethana të tjera, por unë do të punoj në maksimum”.

Tashmë ka mbrojtës të djathtë të ndryshëm në skuadrën e Barcelonës dhe Emerson u pyet se si ndihet për konkurrencën me lojtarë të tillë si Sergi Roberto, Sergino Dest dhe Oscar Mingueza.

“Ka shumë lojtarë me cilësi të mëdha. Unë jam këtu për të bërë punën time, njësoj si ata. I respektoj shokët e mi të skuadrës, por natyrisht që jam këtu për të luftuar për pozicionin tim”.

I pyetur për Dani Alves, një nga lojtarët që Laporta përmendi posaçërisht, ardhja e re shpjegoi se ai kishte folur me bashkatdhetarin e tij për këtë transferim.

“Dani Alves ishte idhull im dhe ai është lojtari me më shumë tituj në futbollin botëror”, shtoi Emerson.

“Unë fola me të dhe ai më tha se për të qenë i suksesshëm këtu duhet të vazhdoj të punoj siç kam bërë”, ka shtuar më tej ai. /Telegrafi/