Site icon Telegrafi

Premtoi dhe e realizoi, administrata Trump publikon dokumentet sekrete të vrasjes së John Kennedy

Administrata Trump publikoi të martën mijëra të dhëna në lidhje me vrasjen e presidentit John F. Kennedy, për të cilat tha se më parë ishin klasifikuar.

Shumë nga dosjet në lidhje me vrasjen e JFK janë zbuluar tashmë, duke përfshirë një dosje prej 13,000 dokumentesh të lëshuara gjatë administratës së Biden.

Megjithatë, shumë nga dokumentet e publikuara të martën ishin redaktuar më parë, transmeton Telegrafi.

Trump tha të hënën se “njerëzit kanë pritur për dekada” për të parë 80,000 faqet e të dhënave që lidhen me vrasjen e Kennedyt.

Menjëherë pas marrjes së detyrës, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që drejtonte publikimin e mijëra dosjeve në lidhje me vrasjet e Kennedy, Robert F. Kennedy dhe Martin Luther King Jr.

Dokumentet u postuan në faqen e internetit të Arkivit Kombëtar të martën në mbrëmje. Mund të duhet pak kohë përpara se studiuesit që kanë studiuar vrasjen e JFK-së të mund të kalojnë nëpër 1,123 dokumentet e sapo postuara, të cilat u identifikuan vetëm me numra dhe pa përshkrime.

Por nuk ka asnjë indikacion që dosjet do të përmbajnë ndonjë ‘bombë’, sipas një njeriu që ka parë tashmë shumë prej regjistrimeve.

Tom Samoluk ishte një zëvendës drejtor i Bordit të Rishikimit të Dokumenteve të Vrasjeve, një panel qeveritar i formuar në vitet e 90-ta për të studiuar të dhënat në lidhje me atentatin.

Ai dhe një ekip prej dhjetërash tjerë rishqyrtuan një sërë dokumentesh për publikim midis 1994 dhe 1998.

Nga ajo që ai rishikoi, nuk ka asgjë për të ndryshuar përfundimin aktual të vrasjes së Kennedyt: se një person i armatosur i vetëm, Lee Harvey Oswald, ishte përgjegjës për vdekjen e tij.

Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard tha në një deklaratë se të dhënat përmbajnë “afërsisht 80,000 faqe të dhënash të klasifikuara më parë që do të publikohen pa redaktime”.

Ka dokumente shtesë, tha ajo, që “mbahen nën vulën e gjykatës ose për sekretin e jurisë së madhe, dhe të dhënat që i nënshtrohen nenit 6103 të Kodit të të Ardhurave të Brendshme, duhet të zhvulosen përpara se të publikohen”.

“Arkivi Kombëtar po punon me Departamentin e Drejtësisë për të përshpejtuar hapjen e këtyre të dhënave”, shtoi ajo.

Larry Sabato, shkencëtar politik në Universitetin e Virxhinias, i cili shkroi “Gjysmë shekulli i Kennedyt: Presidenca, vrasja dhe trashëgimia e qëndrueshme e John F. Kennedy”, paralajmëroi se publiku mund të zhgënjehet nga mungesa e zbulimeve. /Telegrafi/

 

Exit mobile version