Delegacioni i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), i kryesuar nga Kryetari Agim Shahini u prit edhe nga Amir Zukic, Ministri i Zhvillimit i Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës me të cilin është biseduar për bashkëpunimin ekonomik në mes dy shteteve.
Ministri Zukic tha se janë të interesuar që ta rrisim nivelin e bashkëpunimit. “Ne kemi një traditë të vjetër miqësie dhe kjo duhet të jetë një udhërrëfyes i joni i përbashkët për rritjen e bashkëpunimit dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare në mes dy vendeve të cilat viteve të fundit kanë pas rënie”, theksoi ai.
Ministri i Zhvillimit i Bosnjës dhe Hercegovinës tha se janë të hapur që të bashkëpunojmë në të ardhmen me të gjitha nivelet institucionale të Kosovës.
Ndërkaq, kryetari i AKB-së Agim Shahini, shprehi gatishmërinë e bizneseve të Kosovës për të bashkëpunuar edhe më shumë me shtetin e Bosnjës për të mirën e dyja vendeve. “Problem i lëvizjes së lirë të qytetareve dhe mallrave, ka ndikua negativisht në shkëmbimet tregtare dhe kjo do të vazhdoj edhe më tutje nëse udhëheqësit institucional të dy vendeve nuk ulën për të eliminuar këtë barrierë artificiale krejtësisht të panevojshme në mes Kosovës dhe Bosnjës”, theksoi ai.
Shahini tha se pasi Bosnja dhe Hercegovina nuk i ka pranuar dokumentet e Kosovës edhe Kosova ka vendosur reciprocitet.
“Këto shqetësime do t’i përcjellim në Ministrin e Punëve të Jashtme dhe institucionet e Kosovës për të bërë zgjidhje por edhe ju duhet të bëni më shumë presion në institucionet qeveritare në Bosnjë”, tha kryetari i AKB-së Agim Shahini.
Ai ka falënderuar Diasporën shqiptare për kontributin e dhënë për çlirimin e Bosnjës por edhe për çlirimin e Kosovës.
Po ashtu, gjatë qëndrimit në Sarajevë, delegacioni i Kosovës vizitoi edhe Diasporën shqiptare dhe Konsullatën e përgjithshme të Republikës së Shqipërisë ku u njoftuam për së afërmi nga Muharrem Zejnullahu, Konzull i përgjithshëm për problemet dhe sfidat që Diaspora shqiptare i ka në Bosnje e Hercegovinë, por edhe me lëvizjen e lirë të tyre për në Kosovë. /Telegrafi/