Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me agjensionin për Anti-Doping KosADA, po zhvillon seminarin për zyrtarë të kontrollit të dopingut.
Në këtë seminar që do të zgjatë për tri ditë do të ligjërohet para zyrtarëve të anti-dopingut për mënyrën se si duhet të luftohet ky fenomen shqetësues në sport në nivel global.
Osmani: Dukuritë negative në sport do të luftohen fuqishëm në Kosovë
Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, në hapje të këtij seminari deklaroi se kjo dukuri negative në sport duhet dhe do të luftohet edhe në sportin kosovar, ashtu siç bëhet në të gjithë botën.
“Duke e ditur qëllimin tonë të përbashkët për zhvillim të sportit përbrenda vendit fillimisht, por pastaj edhe për konsolidim të rezultateve dhe të arriturave në arenën ndërkombëtare padyshim që qëllimi ynë është edhe që këto arritje, këtë zhvillim ta bëjmë në një ambient më të sigurt, me një qeverisje më të mirë të mirë sportive duke i mësuar të rinjtë dhe të rejat tona që çfarë është Fair Play, cilat janë ato dukuri negative më të cilat mund t’i hasin gjatë zhvillimit të karrierës së tyre siç edhe është anti-dopingu, një ndër kërcënuesit më të mëdhenj të sportit në nivel global. Tashmë po sigurohemi që një gjë e tillë do të luftohet edhe përbrenda vendit në përputhje me standardet dhe rregullat ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.
Krasniqi: Qëllimi ynë është të sigurojmë barazi në garat sportive
Luftimin e kësaj dukurie negative e ka kërkuar dhe e ka mbështetur edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi. Ai deklaroi se qëllimi i përbashkët i KOK-ut dhe MKRS-së është që të sigurohet integriteti i sistemit sportiv dhe barazia në garat sportive.
“KOK-u është i përkushtuar që komuniteti ynë i sportit të edukohet dhe të jetë i vetëdijshëm për rregullat e anti-dopingut, në mënyrë që sportistët të jenë të pastër para sfidave që i presin në karrierën e tyre. Qëllimi ynë i përbashkët me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, KosADA-në, por edhe me federatat sportive, është fuqizimi i integritetit të sistemit sportiv, kujdesi ndaj shëndetit të sportistëve, sigurimi i drejtësisë dhe mundësive të barabarta në garat sportive. Deri më tani, në garat ndërkombëtare, krahas sukseseve që kemi shënuar, si me fitimin e tri medaljeve të arta olimpike, shumë medaljeve botërore e evropiane, kemi treguar kulturë të lartë të edukimit, si për sjelljet tona para zyrtarëve të anti-dopingut, por edhe në rezultatet e testeve”, ka thënë Krasniqi.
Në këtë seminar tre ditor, do të ligjërojnë ligjërues nga Turqia, Sllovenia si dhe ligjërues vendor.