Përfaqësuesja e Kosovës për herë të parë është në kualifikuese për kampionatin botëror.
Pas gjashtë ndeshjeve Kosova ka grumbulluar një pikë duke marrë një barazim në ndeshjen e parë ndaj Finlandës 1-1.
Aktualisht Kosova është e fundit në Grupin I, por sipas Bunjakut në fund të këtyre ndeshjeve nuk do ta kemi këtë pozitë.
Në një intervistë në studio të Telegrafit, Bunjaku ka premtuar të gjithë tifozët se Kosova nuk do të jetë në këtë pozitë.
“Rezultatet e mira do të vijnë gjatë vjeshtës për Kombëtaren e Kosovës”.
“Në shtator është faza ku do të vendoset grupi. Kosova nuk do të jetë e fundit në grup dhe për këtë jam i bindur”, deklaroi Bunjaku për Telegrafin.
Ai insiston dhe premton këtë gjë.
“Unë premtoj siç kam premtuar gjithmonë se lojtarët e Kosovës do të japin maksimumin dhe nuk do të jemi të fundit në grup”.
“Fitorja jam i bindur se do të vije në vjeshtë por edhe pas kësaj fitore nuk do ta ndryshomi mënyrën e punës sonë”.
Ai ka thënë se disa nga lojtarët që ka në dispozicion nuk janë të pjekur për Përfaqësuesen A, por ai mendon tu japë hapësirë që të jenë të gatshëm për kualifikimet e kampionatit evropian.
“Disa nga lojtarët nuk janë të pjekur për të luajtur tani, mirëpo përvoja e fituar në këto ndeshje do t’i shërbejë atyre për kualifikimet e radhës”, tha Bunjaku.
Krejt në fund selektori i Kosovës deklaroi se edhe pse pati pakënaqësi pas ndeshjes me Turqinë, nëse do të kthehej koha mbrapa nuk do të ndryshonte vendim. /Telegrafi/