Komuna e Gostivarit është një ndër komunat më të rëndësishme për partitë shqiptare që garojnë në zgjedhjet lokale. Kryetari i tanishëm nga rradhët e BDI-së, Nevzat Bejta, për herë të tretë pretendon të zgjidhet i pari i kësaj komune. Nuk do të jetë e lehtë për të, pasi garës i paraprijnë kandidatë si Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, Asaf Ademi i Lëvizjes Besa, Sabejdin Izeiri nga rradhët e PDSH-së si dhe Koalicioni Aleanca për Shqiptarët (RDK dhe UNITETI) do të garojë me kandidatin Shpat Iseini.
Kandidatëve të komunës së Gostivarit, iu jepet hapësirë për të shpalosur tre pikat më të rëndësishme që e bëjnë të dallueshëm programin e tyre politik nga kundërshtari tjetër.
Arben Taravari i ASH-së për Telegrafi Maqedoni fillimisht uron që çdo program i çdo kanditati të jetë ambicioz dhe të sjellë vizion sa më të mirë për jetën e qytetarëve të Gostivarit. Ai shpalos tre pika kyçe të programit, edhe atë: shëndetësia, politika e qytetarëve si një koncept i ri i politikbërjes dhe thithja e investimeve të huaja.
”Riparimi i Spitalit të Qytetit është tashmë një projekt i miratuar nga unë në pozitën e ministrit të Shëndetësisë me vlerën e 11 milionë eurove. Është një projekt gjigant që do ta shndërrojë spitalin e Gostivarit në njërin prej më të mirëve në vend.
Politika e Qytetarëve – është një koncept i ri që kërkojmë ta vëmë në praktikë në Gostivar. Mendojmë që fati i një qyteti nuk duhet të jetë vetëm një herë në katër vjet në duart e qytetarëve të tij, vetëm kur janë Zgjedhjet Lokale, por gjatë gjithë kohës. Andaj kemi hartuar një sistem të bazuar në Këshille suplementare që do të përfaqësojnë ‘Zërat e Qytetit’, që do të jenë ata që do kenë kredo aktive në vendimmarrjet e Komunës.
Do të hapet një sektor i veçantë që do të punojë vetëm me qëllimin e aplikimeve për fonde që do të investohen në qytet dhe në veçanti në hapjen e vendeve të punës”, deklarohet Taravari.
Programi përfundimtar i Nevzat Bejtës (BDI) është përpunuar më parë me qytetarët, pasi ky është një rrugëtim që është nisur së bashku me to. Është mirëpritur çdo sugjerim në përmirësimin e qytetit të Gostivarit, kështu e ka nisur përgjigjen e tij për redaksinë e Telegrafit, kryetari aktual i Gostivarit, Bejta.
”Këto katër vjet, së bashku me qytetarët, përmirësuam Gostivarin e sotëm. Rregulluam infrastrukturën, ndërtuam ura, rrugë dhe kanalizime. Së bashku me ta, ndërtuam dhe përmirësuam shkolla për fëmijët tanë, duke ua lehtësuar rrugën drejt dijes. Shtuam hapësirat e gjelbëra dhe mjediset sportive në qytet, duke i ndryshuar pamjen qytetit tonë.
Por, jam i vetëdijshëm se ka ende shumë punë për të bërë. I vetëm nuk mundem të bëj asgjë. Por, me ndihmën e qytetarëve, do të ndërtojmë Gostivarin e nesërm. Së bashku do të punojmë mbi të gjitha për zhvillimin e ekonomisë lokale dhe punësimin.
Me gjithë arritjet tona, me mendje dhe zemer jam pranë të gjithë prindërve që ende mund të kenë fëmijë apo të afërm pa punë, prandaj zotohem se Gostivari i nesërm do të jetë qyteti i mundësive për të rinjtë dhe jo vetëm.
Së dyti, infrastruktura do të vijojë të jetë në vëmendjen tonë. Zhvillimi dhe përmirësimi i saj sipas standardeve të larta do të tërheqë bizneset, investitorët lokal dhe të huaj. Investimi i kompanisë ndërkombëtare “PRG Angli” me ndërtimin e dy fabrikave në qytetin tonë na tregon se jemi në rrugën e duhur dhe duhet të vijojmë me punët që kemi nisur.
Së fundmi, me rëndësinë më të madhe, fëmijët tanë do të vijojnë të mbeten prioritet. Ata janë e nesërmja, prandaj do të kujdesemi që t’iu mundësojmë arsimin në kushtet që meritojnë. Nuk do të rreshtim së rikonstruktuari shkollat, t’i plotësojmë me kabinetet dhe materialet e nevojshme për procesin mësimor si edhe të ndërtojmë ambiente të reja për ta”, shton Bejta.
Kandidati i Lëvizjes Besa, Asaf Ademi thekson se në Gostivar ka një energji dhe nevojë e domosdoshme për ndryshime. Ai thotë se në vazhdimësi ka qenë afër qytetarëve dhe është dëshmitar për vendbanime që vuajnë për ujë të pijshëm, kanalizime. Mos të flasim për rrugët.
”Unë kandidoj duke u mbështetur në një përvojë menaxheriale të fituar gjatë ushtrimit të detyrave në pozita udhëheqëse në sferën komunale si, udhëheqës i sektorëve të zhvillimit ekonomik lokal dhe atë të urbanizmit; Ambasador i Republikës së Maqedoisë në Mbretërinë e Danimarkës dhe në fund drejtor i një kompanie ndërkombëtare të softwer-it, e cila punëson mbi 70 programerë softwer-ik. Kjo përvojë më bën të besoj në potencialin tim për drejtim të qëlluar të komunës dhe suksesin që rezulton nga kjo. Pjesë integrale e këtij suksesi është bashkëpunimi me njerëz të talentuar që reflektojnë pozitivitet, të cilët do të motivohen për veprime të duhura në moment të duhur.
Mua asnjëherë nuk mu shua dëshira të jetoj në qytetin tim, por ashtu si dua ta shoh unë dhe ashtu si meritojne qytetarët. Gjenerata im përjetoi ditë gëzimi me sukseset e klubit të hendbollit Jehona dhe me aktivitetet e shoqatës kulturore Besa. Dua të ndërtoj Gostivar modern me vlera kulturore dhe suksese sportive.
Drejtimi i komunës kërkon komunikim efikas me qytetarët. Për mua është me rëndësi që t’i dëgjoj njerëzit, hallet dhe problemet e tyre, duke ua paraqitur qartë zgjidhjet dhe vizionin për ardhmërinë. Po aq me rëndësi është që, edhe skeptiku më i madh të bindet për veprimin që duhet bërë për të mirën e përgjithshme. Qëllimi i këtij komunikimi është bashkimi i njerëzve rreth vizionit më të mirë dhe të dobishëm. Une kam një vizion të qartë për të ardhmen dhe jam i gatishëm që t’ua komunikoj qytetarëve të Gostivarit.
Përvoja e ambasadorit, si negociues i politikave në sferën ndërkombëtare më japin vetëbesimin dhe dijen e nevojshme që të negocioj me të gjitha palët e përfshira në politikat lokale për të ndërmarrë veprim konsensual.
Edhe pse ka dallime në interesat dhe specifikat e veçanta të politkbëresve në qytetin tim, unë përsëri besoj që do t’ia arrij që të ndërtoj besimin për arritjen e ujdisë dhe realizimin e projekteve të nevojshme.
Gostivari si qytet gjendet në pozitë të volitshme gjeografike, mirëpo ka mungese shfrytëzimi të këtyre resurseve. Kam përvojën e duhur që t`i menaxhoj këta pasuri. Mirëpo së pari duhet të kthejm besimin e qytetarit në institucionin komunë. Do të organizojmë ditë të hapura ku qytetarët do të informohen për punën e komunës. Do ta realizojmë projektin e-qytet, program kjo që do tua mundësoj qytetarëve informim në kohë dhe mundësi për aplikim të shërbimeve komunale në mënyrë elektronike.Gostivarit i nevojitet menaxhim i mirë me resurset e veta dhe transparencë në punë.
Kemi planifikuar projekte që dukshëm do të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Sëbashku me qytetarët do të arrijmë të ndërtojmë një shoqëri të shëndoshë. Qyteti im s`do të jetë më peng i klaneve partiake. Do të ofrojmë kushte investitorëve në zonë industriale, lokacion më i përcaktuar nga ana jonë, që është pronë komunës. Do ta ndërtojmë rrjetin e gazifikimit të qytetit, do ta depolitizojmë tërësisht arsimin. Kam vizion për qytetin tim, qytet me mirëqenie ekonomike, infrastrukturë moderne, suksese sportive dhe kulturë të pasur me motive tradicionale”, thekson më tej Ademi.
Ai më tej shton se premtimet e tij nuk janë më tepër sesa që mund të realizohen. Sipas tij, premtimi i veprave, realizimi i të cilave nuk është nën kontrollin e tij, do të përfundojë vetëm me dëshpërim dhe nuk do të dallohet nga politikanët që shkaktuan dhimbje dhe largim masiv të rinisë.
Sipas kandidatit të PDSH-së, Sabejdin Izeiri, nëse zgjidhet kryekomunar më 15 tetor, do të realizohet projekti i ujësjellësit, edhe atë ndërrimi i gypave të ujësjellësit në vendbanimet e Gostivarit, çështja me mbeturinat si dhe ndërtimi i një pishine moderne.
”Do ta bëj ndërrimin e të gjithë gypave të ujësjellësit prej asbesdsti në qytetin e Gostivarit dhe vendbanimeve përreth.
Rregullimi i deponisë rajonale “Rusino” dhe përshpejtimi i standardizimit me deponitë tjera në Maqedoni, si për shembull ”Drislla”.
Planifikimi dhe ndërtimi i një pishine, dedikuar nxënësve për aftësim të shkathtësisë së notit”, potencon Izeiri pikat ku do të fokusohet gjatë mandatit të tij.
Sipas Shpat Iseinit, kandidat nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët (RDK dhe UNITETI), pika e parë kryesore e programit zgjedhor konsiston me idenë e decentralizimit thelbësor, sidomos decentralizimit fiskal të komunës, pastaj hapja e vendeve të punës si dhe pika e tretë ka të bëjë me uljen e taksave komunale për 50%.
”Decentralizimi – ky insistim dhe kërkesë parësore e programit tonë ndërlidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me të hyrat tatimore komunale, që për momentin janë dyfishu më pak se mesatarja e të hyrave tatimore të shteteve të BE-së. Rritja dhe zgjerimi i të hyrave tatimore krijon një buxhet të shëndoshë dhe të qëndrueshëm për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabil të komunave. Kjo në mënyrë direkte ndërlidhet edhe me të hyrat tatimore komunale të menaxhimit, me resurset natyrore që ndodhen në territorin e komunës përkatëse. Në të njëjtën kohë, rritja e kthimit të TVSH-së, më së paku 10% ndaj komunave, përbën momentin e dytë kryesorë të programit tonë zgjedhor, që do të nënkuptonte të ardhura substanciale për një buxhet të mirëfilltë komunal. Kjo politikë ndërlidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me formulën dhe metodologjinë e alokimit të këtyre mjeteve, që në mënyrë permanente janë diskriminuar komunat me performancë më të madhe fiskale, në krahasim me komunat me performancë më të dobët, që rregullisht janë favorizuar deri më tani. Dhe së fundmi, kjo pikë e programit zgjedhor rrumbullaksohet me alokimin e 1% të BPV të buxhetit të shtetit, për zhvillim të barabartë rajonal, që është edhe marrëveshje dhe pjesë e programës qeveritare për mandatin 2017-2020. Të gjitha këto momente garantojnë një buxhet stabil të komunave që me automatizëm nënkupton zhvillim të mirëfilltë komunal.
Pika e dytë kryesore e programit zgjedhor ka të bëjë me krijimin e vendeve të lira të punës. Të gjitha sondazhet e vendit tregojnë se është problemi kryesor për qytetarët e vendit, jo vetëm në nivel komunal, por edhe në nivel të shtetit. Programi ynë zgjedhor, theks të posaçëm i kushton sektorit privat, duke krijuar kushte të volitshme për investime, edhe atë me krijimin e zonës së lirë ekonomike në Gostivar. Qasja jonë liberale ndaj investimeve në këtë zonë ekonomike, do të krijoj me mijëra vende të lira pune dhe me automatizëm do të përfundoj diskriminimi që i është bërë Komunës së Gostivarit për një periudhë të gjatë kohore. Krijimi i kësaj klime liberale investive, na obligon krijimin e bashkëpunimit ndërkomunal, sidomos me Komunën e Vrapçishtit, Tetovës, Mavrovës dhe Rostushit, në krijimin e zonave të lira ekonomike, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për investitorët e huaj dhe vendas. Në të njëjtën kohë, insistimi do të jetë permanent edhe në krijimin e vendeve të lira të punës edhe në kuadër të administratës publike, qoftë ajo komunale apo edhe shtetërore.
Pika e tretë kryesore e programës tonë zgjedhore ka të bëjë me uljen e taksave komunale për 50%, si dhe amnistisë fiskale që ndërlidhet me ndërmarrjet e ndryshme publike. Të gjitha analizat tregojnë se taksat komunale gjithmonë kanë qenë në rritje permanente në dhjetë vitet e fundit dhe për këtë arsye është bërë analizë dhe studim i detajuar për zvogëlim të taksave komunale, si një lehtësim i madh për qytetarët e komunës së Gostivarit. Në të njëjtën kohë, do të shlyejmë të gjithë borxhlinjtë ndaj ndërmarrjeve të ndryshme publike dhe me këtë politikë jo vetëm që do të lehtësojmë barën e madhe ndaj qytetarëve, por gjithashtu do të risim në maksimum rregullshmërinë e pagesave ndaj shërbimeve të ndërmarrjeve publike nga ana e qytetarëve të Komunës së Gostivarit, që do të ndikonte në stabilitetin e vetë ndërmarrjeve. Në të njëjtën kohë, stabiliteti i ndërmarrjeve do të rritet me idenë tonë të partneritetit publiko-privat, që është një filozofi dominante e botës perëndimore, si model i suksesshëm i zhvillimit të këtyre ndërmarrjeve publike”, ka deklaruar Iseini./Emir Hamzai/ /Telegrafi/