Presidenti serb Aleksandar Vuçiq thotë se është i përkushtuar të arrijë një marrëveshje kompromisi në bisedimet me Kosovën, ish-krahinën serbe e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 por nuk është njohur nga Serbia. Por, ndërsa Vuçiq ka përmbushur disa prej premtimeve, të cilat i ka bërë deri më tani, për premtimet tjera ka dalë të jetë zhgënjyes.
“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë [kompromis], por e përsëris, dhe këtë ia thashë edhe Putinit se nuk do të lejojmë që dikush të poshtërojë Serbinë”, tha Vuçiq më 17 janar gjatë një vizite të presidentit rus në Beograd.
Serbia dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje në vitin 2013 mbi një sërë masash të hartuara për të zgjidhur marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, me Bashkimin Evropian si ndërmjetësues i bisedimeve, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse që do të hapte një rrugë e cila një ditë, të dy këto vende, do t’i bënte pjesë të BE-së.
Vuçiq disa herë e ka përsëritur se Serbia po e respekton pjesën e saj të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Sipas presidentit serb, problemi kryesor qëndron te mungesa e vullnetit në Kosovë për të krijuar një Asociacion të Komunave, i cili do të përfshinte komunat me shumicë serbe Kosovë.
Nga ana e saj, Kosova e ka irrituar institucionin e BE-së duke e rritur taksën prej 100 për qind për importin e mallrave të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës si një hakmarrje për lobimin e shtetit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol si dhe kundër anwtarësimit të Kosovës në organizata tjera ndërkombëtare.
Uashingtoni dhe Brukseli po ushtrojnë presion mbi Kosovën që ta tërheqë prapa vendimin mbi rritjen e taksës, por një shikim i përgjithshëm i premtimeve të Vuçiqit tregon se edhe Beogradi po e zvarritë ketë çështje po ashtu.
Lehtësimi i mbajtjes së zgjedhjeve në veriun e Kosovës – I PËRMBUSHUR
Sipas marrëveshjes së Brukselit së vitit 2013, zgjedhjet komunale do të organizoheshin në komunat e veriut të Kosovës, me ndihmën e OSBE-së dhe në përputhje me ligjin e Kosovës.
Zyrtarët serbë u bënë thirrje serbëve vendas të marrin pjesë në zgjedhje, në të cilën partia serbe e mbështetur nga Beogradi (“Lista Srpska”) u shfaq si një fuqi dominuese politike në veri.
Asambletë lokale u formuan në janar të vitit të ardhshëm.
Integrimi i policisë, gjyqësorit, menaxhimit të kufijve dhe Mbrojtja Civile – PJESËRISHT I PËRMBUSHUR
Në vitin 2011, Serbia dhe Kosova ranë dakord të zbatojnë një sistem të Menaxhimit të Integruar të Kufijve, koncept ky i hartuar nga BE në të cilin agjencitë e përfshira në menaxhimin e kufijve do të bashkërendonin aktivitetet e tyre.
Marrëveshja u arrit përpara se Partia Progresiste e Vuçiqit të merrte nw dorw pushtetin, por duke filluar nga viti 2019 kjo marrëveshje ende duhet të zbatohet plotësisht.
Integrimi i zyrtarwve policorë serbë në listën e pagave nga Beogradi në policinë e Kosovës shkoi mjaft mirë, duke e përmbyllur vitin 2014 edhe me disa çështje tjera.
Megjithatë, situata në veriun e Kosovës mbetet e paqëndrueshme. Një hulumtim i BIRN ka klasifikuar 74 sulme ndaj serbëve të Kosovës ku përfshiheshin armë, granata, zjarrvënie ose mjete shpërthyese që nga viti 2014.
Më 16 janar 2018, politikani serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, i cili ishte në vijë kundërshtuese me Listën Srpska, u qëllua për vdekje para zyrës së partisë sw tij.
Si pjesë e marrëveshjes, Beogradi gjithashtu u dorëzua në lidhje me Mbrojtjes Civile, e portretizuar nga Serbia si njësia e parë e intervenimeve në situata emergjente por e cila në sytë e Prishtinës shihej si një formacion paraushtarak. Kjo forcë u integrua në institucionet e Kosovës në vitin 2016.
Marrëveshja për integrimin e sistemit të drejtësisë në pjesën veriore e udhëhequr nga serbët sipas sistemit të Kosovës, hyri në fuqi në tetor të vitit 2017. Gjykatat janë ende të irituara nga vonesat e gjata.
Marrëveshja mbi Energjetikën – E PAPËRMBUSHUR
Të dy palët ranë dakord në 2015 se shpërndarësi energjetik i Serbisë, EPS, do të regjistrojë dy filiale të saja në Kosovë të cilat do të marrin përsipër shpërndarjen e energjisë në pjesën veriore.
Megjithatë, marrëveshja ende nuk është implementuar sepse Serbia refuzon të përfshijë emrin “Republika e Kosovës” në dokumentet e regjistrimit, pavarësisht premtimeve për regjistrimin e kompanive në përputhje me ligjet e Kosovës.
Ish ministrja e Kosovës, përgjegjëse për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, paralajmëroi që në shtator të vitit 2015 se adresa e kompanisë do të duhej të përfshijë edhe emrin e shtetit.
“Kudo tjetër në këto dokumente, ku ka formulime apo shprehje që janë politikisht provokative dhe ligjërisht të pasakta, duhet të hiqen dhe zëvendësohen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjen e Brukselit”, tha Tahiri atëherë.
Vuçiç thotë se Kosova është përgjegjëse për dështimin e marrëveshjes për energjetikën, duke deklaruar rrejshëm se së pari duhet të themelohet Asociacioni/Bashkësia e Komunave Serbe, sepse atëherë ky do të ishte një entitet i cili regjistron dy kompani të reja energjetike në pjesën veriore.
Sidoqoftë, marrëveshjet qartë përcaktojnë që themeluesi duhet të jetë EPS i Serbisë.
Marrëveshja për urën e Mitrovicës – E PAPËRMBUSHUR
Në vitin 2015, Serbia dhe Kosova ranë dakord për të hapur urën në lumin Ibër, lum ky që ndan qytetin verior të Mitrovicës në pjesën veriore me shumicë serbe dhe pjesën jugore me shumicë shqiptare.
Supozohej se ura do të revitalizohej në vitin 2016 dhe të hapej për trafik, mirëpo kryetari i Mitrovicës veriore, Goran Rakiq, i ka ndërprerë disa herë punimet për shkak të incidenteve në Mitrovicë.
Në një moment të caktuar, autoritetet serbe në Kosovë ndërtuan një mur afër urës në anën veriore, e cila pastaj u rrëzua pas reagimeve që erdhwn nga Prishtina zyrtare dhe shtetet perëndimore.
Në qershor të vitit 2016, BE e përkujtoi Serbinë dhe Kosovën se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre është jetik, duke i veçuar disa prej marrëveshjeve kryesore, njëra prej të cilave ishte hapja e urës në Mitrovicë. Megjithatë, deri më tani, kjo urë mbetet e mbyllur për trafik.
Kodi ndërkombëtar i telefonisë për Kosovën – I PËRMBUSHUR
Në vitin 2015, Beogradi ra dakord që Kosovës duhet t’i jepet një kod ndërkombëtar i telefonisë, dhe ky dakordim mbetet vetëm një nga grumbulli i marrëveshjeve të cilat janë zbatuar plotësisht.
Në vitin 2016, Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, ITU, i caktoi Kosovës kodin telefonik, 383, një vit më vonë pasi Kosova dhe Serbia fillimisht kishin arritur një marrëveshje mbi telekomunikacionin në Bruksel.
Në vitin 2018, njerëzit në Kosovë reaguan me një entuziazëm pasi që mesazhet e shpejta dhe shërbimi i thirrjeve përmes aplikacionit Viber u bë aplikacioni i parë i telekomunikacionit i cili përdorte kodin ndërkombëtar të telefonisë për Kosovën.
‘Dialogu i brendshëm’ dhe ‘plani për Kosovën’ – PJESËRISHT I PËRMBUSHUR
Nuk janë vetëm premtimet e bëra ndaj Kosovës dhe BE-së ato të cilat Vuçiq nuk arriti ti përmbushë asnjëherë.
Në qershor të vitit 2017, Presidenti serb premtoi se do të ketë një debat të gjerë në shoqërinë serbe në lidhje me çështjen e Kosovës, por ky ‘dialog i brendshëm’ mbeti vetëm si premtim i papërmbushur për shumicën e serbëve.
Janë organizuar disa debate publike, të injoruara kryesisht nga opozita serbe, duke e akuzuar Vuçiqin se po përpiqet të zhvendosë fajin e tij politik në lidhje me Kosovën
Iniciativa e tij nuk mori mbështetje nga fakti që Vuçiq nuk pranoi ti paraqiste idetë e tij për një zgjidhje të mundshme.
Në tetor të vitit 2017, autoritetet serbe njoftuan për një “fazë të dytë” në “dialogun e brendshëm”, përderisa rezultatet e dialogut të parë ishin akoma të panjohura.
Vuçiq ka premtuar vazhdimisht se do të zbulojë ‘planin e tij për Kosovën’. Duke deklaruar në shkurt të vitit 2018 se sugjerimet që Kosova mund të ndahej ishin “jo serioze”, Vuçiq doli me një propozim të tillë disa muaj më vonë.
Ky propozim hasi në kritika të rënda nga Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe nga opozita serbe.
Politikanët e Kosovës janë të ndarë në këtë çështje, me presidentin Hashim Thaçi në njërën anë i i hapur ndaj “korrigjimeve kufitare”, dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj në anën tjetër i cili e kundërshton këtë ide me vendosmëri.
Duke shpresuar në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2019, qeveria e Kosovës shprehu gatishmërinë e saj për të hequr taksën mbi mallrat serbe nën disa kushte të caktuara.
Mirëpo numri i marrëveshjeve të pazbatuara tregon qartë se nevojitet një rrugë e gjatë për t’u bërë para se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme të arrihet një ditë. /BIRN/