Site icon Telegrafi

Premtime pa fund për “Bllagoja Toskën” në Tetovë

Banorët e Tetovës sidomos ata që jetojnë përgjatë bulevardit “Bllagoja Toska” janë skeptik se ndonjëherë ky bulevard do të hapet. Ata thonë se hapja e bulevardit do të ishte në të mirë të rregullimit të kaosit në bulevardet tjera, por edhe do të zgjidhte problemin që shfaqet afër urës pranë Spitalit Klinik të Tetovës, ku ka me dhjetëra vetura të parkuara dhe rrugë të parregulluar, shkruan gazeta KOHA. Në këtë periudhë është shumë vështirë të kalohet për shkak të ujit që grumbullohet nga reshjet. Banorët ankohen se janë lodhur nga pritja që të hapet bulevardi “Bllagoja Toska”.

“Prej moti thonë se do të hapet kjo rrugë, por në terren nuk shihet asgjë se punohet. Nuk besojmë se do të hapet ndonjëherë dhe të rregullohet. Kalojmë nëpër baltë, nëpër këtë ujë që mblidhet këtu, ka shumë makina të parkuara, gjithçka është kaos”, thotë Bujari, banor i kësaj lagje. Në ndërkohë, nga Komuna e Tetovës thonë se procesi për hapjen e këtij bulevardi vazhdon dhe janë në procedurë të vlerësimit për shpronësimin e tokës.

“Sa i përket bulevardit ‘Bllagoja Toska’, intenzivisht punohet në shpronësimin e tokës prej pronarëve dhe pasi të bëhet shpronësimi komplet me eksproprijimin, do të fillojnë punimet e hapjes së bulevardit. Pasi është bërë shumë bujë rreth këtij bulevardi, ne do të jemi të rezervuar që të japim afat konkret tash për tash, por shpresat janë që shumë shpejt do të fillojmë. Pikë së pari është mirë që të kompletohet dokumentacioni dhe më pas të fillojmë me punët. Jemi në kontakt me banorët dhe shpresojmë që të arrijmë ndonjë marrëveshje”, tha për KOHA, Arsim Nuredini, udhëheqës i Sektorit për Tokë Ndërtimore dhe Komunikacion në Komunën e Tetovës.

Ai theksoi se për fazën e parë janë paraparë mjete për këtë bulevard. Zhagitja dhe ngecja e realizimit të projektit për hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska” që ishte një ndër prioritetet e Komunës së Tetovës në vitin 2014, e ka sjellë këtë rrugë në një gjendje katastrofale , ku krahas ujit dhe baltës që grumbullohet në disa pjesë të kësaj rruge, lëvizjen e lirë të banorëve e vështirësojnë edhe makinat e parkuara tek Spitali i Tetovë. Bulevardi “Bllagoja Toska” fillon nga unaza te ish-restorant “Mema” dhe përfundon te Stadiumi i qytetit.

Hapja e këtij bulevardi ka një kosto të madhe, sepse do të duhet të rrënohen edhe disa shtëpi njëkohësisht dhe të zgjidh disa çështje pronësore juridike. Edhe pse kjo rrugë gjendet pothuajse në zemër të Tetovës dhe afër Spitalit Klinik në Tetovë, në këtë pjesë nuk është bërë asnjë investim infrastrukturor edhe përkundër frekuentimit të madh të qytetarëve dhe shumë premtimeve.

Nga Komuna e Tetovës vonesën e realizimit të punëve në bulevardin “Bllagoja Toska” e kanë arsyetuar me ndërtimet pa leje që janë në procedurë legalizimi. Pas marrjes së vendimeve për legalizim, do të fillojë edhe shpronësimi i pronave private që duhet të merren për rregullimin e bulevardit. /koha.mk/

Exit mobile version