Site icon Telegrafi

Premtim i ri për tunelin nën Kalanë e Shkupit

Tuneli nën Kala u premtua si prioritet i Qytetit të Shkupit, i cili do të bëhej realitet në vitin 2022, por në fakt si i tillë nuk figuron as në letër. Kreu i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov thotë se tuneli do të jetë gati në 5 vitet e ardhshëm. Një javë më parë vet Shilegov njoftoi për anulimin e projektit paraprak me kompaninë turke, për shkak të mos projektimit adekuat. Tani kreu i Shkupit zotohet se procedura e re do nis brenda muajit shtator.

“Nga 1 deri në 5 vite! Që nënkupton se prej një viti deri në pesë vite do të vij deri te realizimi i tuneleve. Ne kemi një autostradë që ndërtohet për 7 vite sepse dikush në mënyrë vullnetare e ka planifikuar atë autostradë. Na kushtoi qindra milion euro më shumë sepse ishte keq i projektuar. Një luks të tillë nuk mendoj se është i nevojshëm për Qytetin e Shkupit. Mendoj se deri në fund të muajit do të nis procedura për zgjedhjen e tenderit të ri”-tha Petre Shilegov, Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Për këtë projekt u diskutua sot kur gjatë firmosjes së marrëveshjes për përgatitjen e planit të ri urbanistik gjeneral të kryeqytetit për 2022-2032, mes Qytetit të Shkupit, Ministrisë së transportit dhe lidhjeve si dhe Agjencisë për planifikim hapësinor. Ministri i Trasnportit Boçvarski tha se Shkupi do të bëhet si një Metropol meqë planifikimi i zgjerimit do të zbatohet me Ligjin e ri përkatës.

“E nënshkruaj këtë marrëveshje për përgatitjen e planit të ri urbanistik gjeneral të kryeqytetit që është shumë e rëndësishme si akt për zhvillimin e ardhshëm të Shkupit, por edhe për jetën humane të qytetarëve, për shkak se nga metropoli ynë pritet të jetë motor i ekonomisë së shtetit”-pohoi Bllagoja Boçvarski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Për zgjerimin e kryeqytetit me hapësira të reja urbanistike, infrastruktura mbetet kyçe siç është edhe Tuneli nën Kala, që pritet të jetë arteria kryesore e lehtësimit të trafikut rrugor. Siç ishte prezantuar, traseja fillon nga bulevardi Shën Klimenti i Ohrit – përskaj ndërtesës së Qeverisë, mbi Lumin Vardar si një viadukt do të hyjë tuneli nën Kala për të vazhduar mbi Rrugën e “Plastikave”. Sipas vlerësimeve të Qytetit të Shkupit ndërtimi i rrugës, urës dhe tunelit nën Kala do të kushtojë rreth 30 milionë euro.

https://www.youtube.com/watch?v=OrsYQ1xQh7c&feature=emb_title

 

Exit mobile version