Ky do të jetë edhe aktiviteti i parë që do të çelë sezonin koncertor dhe është organizuar si pjesë e vitit Verdian, në nder të kompozitorit të njohur italian Giuseppe Verdi, në 200-vjetorin e tij të lindjes.
Zhani Ciko, drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit, thekson: “Kjo vepër ka të bëjë me zbërthimin e forcës së njeriut dhe shpërthimit të forcës vullkanike që ka shpirti njerëzor.”
Aktiviteti ka për qëllim promovimin e artistëve të rinj, por të talentuar. Ai sjell së bashku orkestrat rinore italiane dhe shqiptare me mbi 86 muzikantë, korin e Teatrit të Operës dhe Baletit, si dhe katër solistët italianë, Serena Daolio, Kristina Melis, Alesandro Liberatore dhe Rafaele Kostantini.
Orkestrën do ta drejtojë maestro Aldo Cekato. Pjesë e aktivitetit të mbështetur nga Ambasada Italiane në Tiranë do të jetë edhe një ekspozitë me rreth 30 kopje të partiturave të përzgjedhura verdiane të asaj kohe. /TCH/