Telegrafi

Prekëse: Fëmija 5 vjeç kërkon të takojë babagjyshin, vdes në krahët e tij

Dëshira e fundit, para se sytë e tij të vegjël të cilët duhet të shihnin shumë më shumë, të mbylleshin përgjithmonë.

Dëshironte të takonte babagjyshin e Vitit të Ri, të fliste me të, ta përqafonte dhe të merrte dhuratën e fundit poshtë pemës.

Atë ëndërr një vogëlush vetëm 5 vjeç, nga Knoxville, në Tennessee të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e realizoi, takoi Santa Clasusin, i personalizuar nga Eric Schmitt-Matzen, 60 vjeç dhe mori frymë për herë të fundit në krahët e tij.

Për Eric kjo është periudha më e shfrenuar e vitit, pasi ndahet mes punës si inxhinier mekanik dhe si babagjysh, i cili mundohet të dhurojë sa më shumë buzëqeshje tek fëmijët.

Tre javë më parë, pak pasi ishte kthyer nga një takim me një grup fëmijësh, mori një telefonatë urgjente nga spitali, ku një infermiere i kërkonte të plotësonte dëshirën e fundit të një fëmije në fund të jetës.

Pas 15 minutash shkoi në spital, ku e priste nëna e fëmijës, e cila kishte blerë një dhuratë për t’ia dhënë të birit.

“U kërkova prindërve që ta shikonin takimin nga jashtë. Nëse do kisha parë vetëm një person duke qarë, nuk do kisha vazhduar dot punën time. Kur hyra, pashë që fëmija ishte aq i dobët, duket sikur po flinte. U ula pranë tij dhe i thashë se nuk duhet të shqetësohej, pasi nuk do e humbte Krishtlindjen, duke qenë se ishte i pari në listën time. ‘Kush? Unë?’, tha duke buzëqeshur. Ishte aq i pafuqishëm sa që me zor e hapi dhuratën. Ishte i lumtur, ishte pikërisht ajo që donte. Më pas më pa dhe më pa dhe më pyeti se ku do shkonte, duke qenë se ishte gati për të vdekur. Unë i thashë se kur të shkonte në qiell, të thoshte se ishte numri 1 për babagjyshin”, tregon Eric.

Në atë moment i prekur nga biseda me vogëlushin, e shtrëngoi në kraharor.

“Babagjysh më ndihmon dot”, tha i vogli, i cili pak çaste më vonë ndërroi jetë.

“Qëndrova aty i përqafuar me të. Pak më vonë prindërit kuptuan se çfarë kishte ndodhur dhe vrapuan në dhomë duke qarë. Unë i lashë në dhimbjen e tyre dhe u ktheva në shtëpi, pa i mbajtur lotët”, tregon 60- vjeçari, shkruan noa.al.

Ai thotë se mendoi që të mos merrej më me punën si babagjysh, “Por më pas mendova ata sy të lumtur dhe atë përqafim dhe kuptova, se ky ishte roli im. Të bëj fëmijët të argëtohen dhe t’iu kthej buzëqeshjen”.