Në fillim të korrikut, Betsy Davis u dërgoi nga një e-mail miqve të saj më të afërt për tu bërë nga një ftesë për të qenë pjesëmarrës në një festë dyditore.
Në këtë letër, përcjell Telegrafi, ajo u kishte shkruar: “Këto rrethana janë ndryshe nga çdo festë që keni ndjekur më parë, kërkon qëndrueshmëri emocionale”.
Dhe kushti i vetëm ishte: Të mos qanin para saj!
Artistja 41-vjeçare, e sëmurë nga ALS – Amyotrophic lateral sclerosis, mbajti një tubim për tu thënë lamtumirë miqve të saj, para se të merrte një dozë vdekjeprurëse të drogës.
“Për mua dhe të gjithë ata që ishin të ftuar ishte shumë e vështirë për të marrë pjesë, por gjithsesi nuk kishim asnjë dyshim se do të ishim aty”, ka rrëfyer Niels Alpert, një kineast nga New York City.
Siç raportojnë më tej mediat e huaja, përcjell Telegrafi, më shumë se 30 njerëz morën pjesë në festë në një verandë në vendin malor Ojai, në Jug të Kalifornisë, të cilët kishin udhëtuar nga New York, Chicago dhe nga rrethina e Kalifornisë.
Një grua solli një violonçel. Një burrë luajti me harmonikë. Ka pasur kokteje, pizza nga një lokal i saj i preferuar dhe një shfaqje në dhomën e saj të një prej filmave të saj të preferuar, “The Dance of Reality”, bazuar në jetën e një regjisori kilian të filmit.
Dhe kur fundjavës po i vinte fundi, miqtë e saj e puthën atë duke i thënë lamtumirë, u mblodhën për një foto dhe ikën – Davis mori drogën e saj të fortë, të përshkruar nga mjeku i saj.
Davis i mori jetën vetes pak më shumë se një muaj pasi një ligj në Kaliforni u fut në fuqi, ligj ky që u jep mundësi të sëmurëve terminalë të bëjnë një gjë të tillë.
Katër shtete të tjera në SHBA lejojnë vetëvrasjen “me asistim të mjekut”, gjë kjo që u bë për herë të parë në shtetin Oregon, që në vitin 1997. /Telegrafi/