Trajneri mitrovicas ditë më parë ka zhvilluar biseda me Hasan Pergjegjajn, që njëherësh është babai i pronarit të klubit, Mehedinit (Meda). Ai thotë se çështjen e zgjidhjes së trajnerit ia kanë lënë pikërisht atij.
“Unë jam duke e zëvendësuar Medën, përderisa ai nuk është në Kosovë. Prandaj, këto ditë m’i kanë propozuar tre emra të trajnerëve: Rafet Prekazin, Bylbyl Sokolin dhe Gani Sejdiun. Të parin e njoh mirë, dhe kemi biseduar disa herë, për Bylbylin kam dëgjuar fjalë të mira, kurse Ganiun nuk e njoh, edhe pse ma kanë lavdëruar”, tregon Pergjegjaj për gazetën Arena.
I pyetur se cili nga këta emra ka gjasat më të mëdha për të marrë drejtimin e skuadrës, ai i jep përparësi të madhe Prekazit. “Mendoj se Rafeti mund të bëjë me lojtarë. Prandaj, unë do t’u them Medës dhe Ragip Muratit (bashkëpronar) për Rafet Prekazin, e më pas u mbetet atyre të vendosin”, shtoi Hasani për gazetën. /Telegrafi/