Rafet Prekazin e kanë bërë të lumtur djelmoshat e tij me fitoren 2-0 ndaj Azerbajxhanit.
Përfaqësuesja e Kosovës U21 ka arritur një fitore tejet të vlefshme dhe ka mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.
Trajneri i Kosovës U21, Rafet Prekazi ka thënë se ekipi i tij ka ngritje në lojë.
“Kosova ka ngritje në lojë dhe këta djem e dëshmuan edhe sot se dinë të luajnë futboll”.
“Kemi luajtur ndeshje të mira edhe në të kaluarën por na ka munguar përvoja. E kam thënë edhe më herët se do të marrë futbollistë edhe nga liga vendore dhe jam i bindur se kemi potencial për rezultate edhe më të mira”, deklaroi Prekazi.
Sipas trajnerit mitrovicas, Kosova do të ketë skuadër shumë të mirë brenda një kohe të shkurtër.
“Për mua është kënaqësi që jam trajner i këtyre djemve. Koha po punon për ne dhe jam i bindur se pas disa vjetëve Kosova do të ketë një skuadër të respektuar”, tha Prekazi.
Krejt në fund Prekazi tha se pret një ndeshje të njëjtë nga djelmoshat e tij edhe ndaj Gjermanisë. /Telegrafi/