Telegrafi

Prej nesër fillon aplikimi për kartë të gjelbër për në SHBA për vitin 2022

Prej nesër deri më 10 nëntor do të zgjasë paraqitja në lotari për kartë të gjelbër për vitin 2022 për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Paraqitje bëhet përmes ueb-faqes zyrtare dvprogram.state.gov. Aty mund t’i gjeni kushtet e plotë ndërsa kandidatët do të mund të kontrollojnë nëse janë zgjedhur më 8 maj 2021.

Nga Ambasada e SHBA-ve në Maqedoni njoftojnë se pjesëmarrja është pa pagesë dhe ju rekomandojnë kandidatëve që t’i bëjnë gati paraqitjet sa më shpejt që është e mundur.

“Kandidatët mund të kërkojnë ndihmë nga persona tjerë, të cilët mund ta dërgojnë aplikimin në emër të tyre, por çdo kandidat është përgjegjës nëse informacionet në aplikim janë të sakta dhe të plota. Vendosja e të dhënave të pasakta dhe jo të plota mund të diskualifikojë kandidatin edhe nëse zgjedhet si fitues. Pa dallim nëse aplikimi është dërguar personalisht apo me ndihmën e avokatit”, sqarojnë nga Ambasada e SHBA-ve./Telegrafi/