Telegrafi

Prej disa muajsh të mbyllura teatrot, Ramë Lahaj: Si artist, do të doja që edhe jeta artistike të rifillojë

Ramë Lahaj (Foto: Instagram)

Tenori shqiptar me famë botërore, Ramë Lahaj, është një nga personazhet më të ndjekura në rrjetet sociale dhe vazhdimisht ndan postime nga jeta dhe përditshmëria e tij.

Ai këtë herë ka bërë një reagim në Instagram për hapjen e shkollave, pasi tashmë është marrë vendim që të rifillojnë në disa prej vendeve, përfshirë këtu edhe Kosovën.

Duke qenë se pandemia e coronavirusit ka ndikuar në çdo aktivitet kulturor, artisti nga Istogu bën thirrje që të rifillojë edhe jeta artistike – megjithëse pa shkolla, art e kulturë, jeta nuk do kishte kuptim.

Ky është postimi i plotë i tenorit Lahaj (pa ndërhyrje):

“U bënë muaj, që për fat të keq jemi të detyruar t’i mbajmë mbyllur teatrot, e në njëfarë forme të mos ketë as aktivitete kulturore e sportive, gjëra këto që një populli ia mbajnë gjallë shpirtin.

Por, jam i lumtur tejmase që në disa vende ka filluar mësimi për fëmijët të cilët janë e ardhmja jonë. Në vende ku nuk ka filluar, do të doja shumë që të merren masa për rifillim.

Si artist, po ashtu do të doja që edhe jeta artistike të rifillojë. Të mbyllur, pa shkolla e universitete, pa art e kulturë, jeta humb kuptimin! Fundjave të mbare per të gjith ju”.

Ndonëse jeton jashtë trojeve shqiptare për shkak të angazhimeve profesionale, Lahaj kohëve të fundit shijoi disa ditë të mira në Kosovë. /Telegrafi/