Site icon Telegrafi

Prej cilës lloj britme reagojmë më shpejt? Përgjigja mund t’ju befasojë

Ndryshe nga primatët, të cilët përdornin britmat për të komunikuar vetëm zemërimin dhe frikën, njerëzit bërtasin në të paktën gjashtë dimensione emocionale: zemërim, frikë, dhimbje, kënaqësi, trishtime dhe gëzime – të tilla si britmat e fëmijëve kur shohin akullore, një lodër të re etj.

“Njerëzit ndajnë me speciet e tjera potencialin për të sinjalizuar rrezikun kur bërtasin, por duket se ata janë të vetmit që bërtasin për të sinjalizuar edhe emocione pozitive si gëzimi apo kënaqësia ekstreme”, thotë Sascha Frühholz, autore kryesore e një studimi të ri mbi britmat, botuar të martën në revistën PLOS Biology, shkruan CNN.

Cilën lloj britme mendoni se njerëzit do të ishin më të mirë për ta deshifruar? Prej cilës do reagonin më shpejt?

Nëse zgjidhni britmat alarmante – të tilla si zemërimi, frika dhe dhimbja, do të gabonit. Në vend të kësaj, studimi zbuloi se njerëzit janë më të shpejtë për t’iu përgjigjur britmave të kënaqësisë ose gëzimit.

“Rezultatet e studimit tonë janë befasuese. Ekspertët zakonisht supozojnë që sistemi kognitiv i primatit dhe njeriut të akordohet posaçërisht për të zbuluar sinjalet e rrezikut dhe kërcënimit në mjedis si një mekanizëm i mbijetesës, por komunikimi me ulërima është shumë më i larmishëm tek njerëzit dhe ky përfaqëson një hap të madh evolucionar” u shpreh Frühholz.

Njerëzit duket se kënaqen me tingujt që i frikësojnë dhe ndjesitë që marrin nga ulërimat – shembuli për këtë është suksesi i filmave horror. Megjithatë, ata gjithashtu “kënaqen” me ulërimat nga befasia dhe kënaqësia dhe mesa duket, janë më të mirë në përpunimin e këtij llojit të dytë.

Të paktën kështu rezultoi nga katër eksperimentet që u kryen në studim. Skanimet e bëra treguan që truri i njerëzve reagon më shpejt dhe me saktësi ndaj asaj që Frühholz i quan “britma jo-alarmuese” ose pozitive, citon Anabel.

Pse ndodh kjo? Ndoshta sepse njerëzit kanë shenja dhe situata më komplekse sociale për t’u përballuar sesa shimpanzetë dhe primatët e tjerë.

Në jetën familjare/sociale, për shembull, njerëzit mund të kenë më shumë gjasa të dëgjojnë shprehje kënaqësie, gëzimi dhe habi sesa ato të frikës dhe kështu, ata reagojnë më shpejt ndaj atyre nxitjeve. /Telegrafi/

Exit mobile version