Site icon Telegrafi

Prej 53 arbitrave, vetëm njëri e kaloi testin

Të mërkurën, arbitrat e Superligës e të Ligës së Parë i janë nënshtruar për herë të dytë testit teorik. Vlerësimi i njohurive të tyre është bërë përmes videotestit. Derisa herën e parë prej rreth 70 arbitrave kishin kaluar vetëm gjashtë, testimit të dytë iu nënshtruan 53 arbitra, ndërsa ka kaluar vetëm një.

Këtë e kanë bërë të ditur burime brenda Federatës së Futbollit të Kosovës. "Arbitrat kanë treguar njohuri më të mirë se herën e parë, por sërish niveli nuk është i kënaqshëm. Prej 53 arbitrave të testuar kufirin e vendosur për të kaluar prej 15 pyetjeve të sakta e ka kaluar vetëm një arbitër i testuar", ka thënë burimi brenda FFK-së.

Ndërkohë kontakti me drejtuesit e arbitrave nuk ishte i mundur, ata nuk e kanë hapur telefonin ose e kanë mbyllur fare. Anëtari i Këshillit Profesional të arbitrave, Ibrahim Delibashzade, ka thënë se kontrollimi i testeve do të bëhet të enjten, kur edhe do të publikohen rezultatet në sajtin e FFK-së.

"Sot arbitrat i janë nënshtruar testit, ndërsa ato do të kontrollohen nesër kur edhe publikohen rezultatet. Pamjet arbitrave i janë prezantuar nga dy-tri herë që ta kenë të qartë se çka kërkohet prej tyre", ka thënë Delibashzade për Kohën Ditore.

Për rezultatin e dobët në testimin e parë, arbitrat ishin arsyetuar me mënyrën e re të testimit, të panjohur për ta. Për testin e dytë ishin premtuar rezultate shumë më të mira. Arbitrat të mbledhur në një sallë është dashur të japin vlerësimin e tyre me shkrim lidhur me një situatë të caktuar në lojë, të paraqitur në projektor.

Testi ka përmbajtur 20 pyetje, ndërsa për të kaluar janë kërkuar 15 përgjigje të sakta. Standard i UEFA-s është që të dihen 18 prej 20 pyetjeve të parashtruara. /Telegrafi/ 

Exit mobile version