Disa imamë përdorin gjuhë përçmuese për gratë në predikimet, videot dhe postimet e tyre në rrjetet sociale, por organi zyrtar që përfaqëson myslimanët e vendit duket se nuk preferon të ndërmarrë ndonjë veprim.
Në një ditë xhumaje në mars të këtij viti, Shefqet Krasniqi, imami i xhamisë kryesore “Mehmet Fatih”, të Prishtinës, i quajti “të pamoralshme” gratë që veshin minifunde.
Në një tjetër video, Krasniqi ka përshkruar çdo vajzë apo grua “që ekspozon këmbët ”si provokatore të qëllimshme”. “Duket sikur ajo del për të provokuar burra të tjerë. Çfarë gruaje është ajo që del e u tregon të tjerave se çfarë këmbësh e çfarë gjoksi ka. Vallahi, nuk është e moralshme”, thotë ai.
Në një intervistë për një televizion Krasniqi i dyfishoi pikëpamjen e tij seksiste, duke thënë se “vendi i gruas është në kuzhinë”.
Krasniqi nuk është në figurë anonime e religjionit. Ai ka një audiencë të madhe në xhaminë e tij dhe në rrjetet sociale, ku pyetet dhe komenton për rolin e grave, shpesh duke përdorur të njëjtën retorikë.
Ai u akuzua për seksizëm e mizogjini në fillim të këtij viti nga aktivistët për të drejtat e grave në Kosovë pasi ai e përshkroi këngëtaren të njohur të muzikës popullore 62-vjeçaren, Shkurte Fejza si jobesimtare.
Krasniqi nuk ka pranuar të komentonte për BIRN në lidhje me gjuhën që ai përdor në predikimet e tij, duke insistuar gjithashtu se atij po i drejtoheshin në një mënyrë të pasaktë, jo islame. “Mos më thuaj ‘përshëndetje’, në vend të kësaj thuaj ‘as-selamu alejkum’”, ishte përgjigja e tij.
Pikëpamjet seksiste të përhapura ndër klerikë
Përderisa shumë imamë kritikohen për pikëpamje seksiste, Krasniqi nuk është i vetëm në qëndrimet e tij në mesin e klerikëve myslimanë në Kosovë, vendin ku shumica e popullsisë është myslimane.
Enes Goga, një imam në xhaminë “Kushunli” në Pejë, gjithashtu në një hytbe kritikon gratë e mbuluara që postojnë video në internet, duke i quajtur ato “ si jomyslimane”.
“Një grua e mbuluar që del e dreqnavet në TikTok, asaj gjithçka duhet t’i thuash përveçse myslimane”, thotë ai në një video tjetër të postuar në YouTube në nëntor 2023. Një grua e tillë, thotë ai, është “e mbuluar, e shpluar”.
Në pyetjet rreth akuzave për gratë, Goga u përgjigj se ai thjesht po predikon Islamin. “Mos prisni që unë të predikoj laicizëm”, tha ai.
Në qytetin e Prizrenit, një tjetër imam, Irfan Salihu, në një predikim në xhami thotë se gratë që vishen shkurt “nuk janë në rrugën e Zotit”.
“ Këto lloj femrash me brekë, dalin me të dashurit, puthen në rrugë”, thotë ai.
Salihu u shkarkua nga detyra në vitin 2020 për shkelje – por jo për predikimet e tij për gratë dhe çështjet gjinore. Ai nuk pranoi të flas për ligjëratat e tij për gratë në rrjetet sociale.
Shumë xhami në Kosovë mbeten gjithashtu të hapura për imamët nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, që shprehin paragjykime të ngjashme për gratë.
Në një predikim të postuar në internet nga një ligjëratë në një xhami në Kaçanik, Abil Veseli, një imam nga Shkupi, thotë se “kur sheh gra të zhveshura (jo të veshura qartazi në mënyrë myslimane), nuk e kupton nëse janë myslimane, apo gra në një dasmë të shkijeve” duke përdorur termin përçmues për serbët.
Gratë ndihen të përjashtuara, por heshtin
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), organizata që përfaqëson komunitetin mysliman të vendit, nuk është përgjigjur në pyetjet për pikëpamjet seksiste të imamit Krasniqi dhe të tjerëve në ligjëratat nëpër xhami.
Islam Hasani, dekan i Fakultetit të Studimeve Islame, ku ligjëron Krasniqi, tha për BIRN se “deklaratat jozyrtare individuale nuk janë pjesë e përgjegjësisë sonë.”
Megjithatë, Besa Ismaili, një profesoreshë në këtë fakultet, thotë se gjuha seksiste e disa imamëve po i përjashton gratë.
“Duhet të përdoret gjuhë më gjithëpërfshirëse, pa ngjyrime patriarkale”, thekson ajo.
“Shumë gra mendojnë se gjuha e dominuar nga meshkujt në diskursin dhe interpretimin e teksteve të shenjta i largon ato nga lidhja me tekstin, gjë që i bën të ndihen të përjashtuara”, thotë ajo.
Ismaili këmbëngul se pozita e gruas në komunitet nuk rrjedh nga Islami, por nga keqinterpretimet e teksteve të shenjta dhe ” mungesës së njohjes së fesë islame”.
“Diskursi feminist ka ngritur problemin e përfshirjes gjinore. Por gjuha e përdorur për të përcjellë kuptimet e Kuranit është shpesh jo miqësore ndaj grave”, thotë Ismaili.
Florentina Termkolli, një tjetër profesoreshë në Fakultetin e Studimeve Islame, gjithashtu e quan gjuhën e përdorur nga disa imamë si keqinterpretim të Kuranit dhe i parimeve islame. “Ka shumë keqinterpretime. Rrjetet sociale po e mundësojnë përhapjen e tyre”, thotë Termkolli.
Së bashku me Departamentin e Gruas të Bashkësisë Islame të Kosovës, Termkolli po udhëheq një fushatë kundër dhunës dhe diskriminimit ndaj grave.
“Ne nuk po heshtim karshi gjuhës diskriminuese të disa imamëve apo të tjerëve, në xhami apo jashtë tyre”, thotë ajo. “Por është e vërtetë që ne nuk kemi folur ende publikisht”.
Vaxhide Bunjaku, që drejton Departamentin e Gruas në BIK, tha se nuk ato pajtohen me komentet seksiste të bëra nga disa imamë, por përpiqen t’i kufizojnë përgjigjet e tyre në kanalet e brendshme.
“Nuk do të thotë se jemi dakord apo heshtim, por ne e adresojmë këtë çështje brenda institucionit”, thotë Bunjaku. Megjithatë, ajo hezitoi të thoshte nëse ndonjë kundërshtim ndaj predikimeve të tilla seksiste ishte adresuar ndonjëherë. “Ne bëjmë atë që duhet të bëjmë brenda institucionit. Nuk përballemi dhe nuk reagojmë në publik”.
Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka treguar për ndonjë rast ku është kërkuar llogari nga imamët që promovojnë pabarazinë gjinore. BIRN ka analizuar një sërë vendimesh të BIK-ut ku imamët ishin shkarkuar ose u ishin dhënë vërejtje për sjelljet e tyre. Por asnjë prej tyre nuk kishte të bënte me fjalorin fyes apo seksist të përdorur ndaj grave.
Kreu i degës së Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj, tha se është e pamundur të monitorohen të gjithë namazet dhe predikuesit në xhamitë e Kosovës.
“As gjuha seksiste e as diskriminuese nuk është politikë e BIK-ut, por ne nuk mund të mbikëqyrim çdo ligjëratë”, thotë Arifaj.
Në Prizren, kreu i Bashkësisë Islame, Besim Berisha, kryetar shpjegon se po përpiqen të luftojnë gjuhën seksiste dhe shtypëse ndaj grave. “Ne po përpiqemi të forcojmë rolin e gruas”, thotë Berisha.
Ai gjithashtu përmend se vetë gratë shpesh hezitojnë të flisnin.
“Gratë ngurrojnë të reagojnë, edhe pse ne u kemi kërkuar vazhdimisht që të jenë më të zëshme për gjërat që lidhen me pozicionin e tyre”, thotë ai.
Kultura e figurës qendrore të burrit zor të ndryshojë
Summeye Pakdil-Kesgin, profesoreshë në Departamentin e Religjionit në Universitetin Elon në Karolinën e Veriut në Shtetet e Bashkuara, thotë se feja është një fushë që ka qenë e dominuar për shekuj nga ideja e androcentrizmit – vendosja e mashkullit në qendër.
“Problemi nuk është vetëm patriarkalizmi, por edhe kuptimi i çdo teme që vendos mashkullin në qendër. Kjo nuk ka të bëjë me fenë; por me pushtetin dhe mënyrën se si pushteti përfaqësohet dhe praktikohet në kontrollin e fushave të ndryshme të jetës”, tha ajo për BIRN.
Por Pakdil-Kesgin shton se edukimi në rritje i grave dhe integrimi i tyre në fuqinë punëtore po ndikon në interpretimet dhe praktikat fetare.
“Gratë kanë luftuar për të krijuar hapësira të reja, përfshi edhe atë riinterpretimit të shkrimeve të shenjta”, thotë ajo. “Gratë, duke qenë të prezentë në publik, kanë gjetur mënyra për të krijuar më shumë hapësirë dhe të drejta”.
Aktivistet për të drejtat e grave në Kosovë, si Mirishahe Syla, thonë se predikimet e disa imamëve në mënyrë të qartë kontribuojnë në një klimë seksizmi.
“Ato ndikojnë në kontekstin në të cilin ndodh diskriminimi”, thotë Syla. “Në predikimet e tyre, kur flasin për rolet gjinore, organizimin e familjes dhe shoqërisë, ata e përdorin fenë më shumë për të forcuar normat patriarkale sesa për të predikuar për besimin”, thotë ajo.
Disa predikime të imamëve përforcojnë një kulturë diskriminimi që ekziston ndër shekuj të manifestohet në mënyra të ndryshme në shoqërinë ende patriarkale të Kosovës, siç është praktika e trashëgimisë pronësore që ende u ndahen më shumë djemve sesa vajzave.
“Predikimet përdoren si mjet kontrolli”, argumentoi Syla. “Dhe disa të drejta të grave, siç është e drejta e grave për të trashëguar, nuk po fliten apo zbatohen nga shumë klerikë ose nga të tjerë që pretendojnë se jetojnë sipas parimeve fetare.”/Reporter.al/