Kosova ka pësuar humbjen e parë në Ligën e Kombeve, duke u gjunjëzuar nga Greqia në “Fadil Vokrri” me rezultat 2-1.
Djelmoshat e Bernard Challandes nuk ishin të plot për këtë ndeshje, ndërsa vetëm 18 ishin gati.
Nuk është se nuk munguan prapaskenat edhe në këtë ndeshje, ku u luajt pa tifozë, ndërsa Kosova pësoi humbjen e dytë në “Fadil Vokrri” prej se luan në këtë stadium.
Telegrafi i sjell për ju prapaskenat e ndeshjes, ku kishte edhe ndër më të çuditshmet.
Kontrolli në hyrje për gazetarë, fotografë dhe kameramanë
Në hyrje ka pasur kontroll të detajuar për gazetarët, fotografë dhe kameramanë, pas situatës së krijuar nga COVID-19. Të gjithë është dashur të plotësojnë, po ashtu edhe nga një formular.
Tifozët mbi Hotel Grand
Tifozët e Kosovës, “Dardanët” përveç koreografive që kishin përgatitur në stadium dhe jashtë tij, ata kishin gjetur një vend ta ‘shohin’ ndeshjen.
Një numër i konsideruar i “Dardanëve” ishin ngjitur mbi Hotel Grand, nga ku kënduar dhe ndezën fishekzjarrë.
Zëri në audio i “Dardanëve”
“Dardanët” po ashtu kishin lëshuar zëri e tyre të incizuar nëpër ndeshje dhe në raste dukje sikur të ishin të pranishëm në stadium.
Minuta e 9-të, nderohet Fadil Vokrri
Minuta e 9-të vazhdon të mbetet e rezervuar për Fadil Vokrrin. Të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë për Fadil Vokrrin, pasi jashtë stadiumit në një ekran gjigant u shfaq foto e legjendë dhe një mesazh “Gjithmonë në zemrat tona”.
Mesazhi i Zenelit për skuadrën: A po luajmë, apo e lëmë
Luhej minuta e 20-të e ndeshjes, kur Arbër Zeneli iu thotë bashkëlojtarëve: A po luajmë, apo e lëmë”, duke kërkuar të dhënë më shumë nga vetja.
Florentët dhe Berishët
Në mesin e pjesës së dytë, dy futbollistë në fushë ishin me emrin Florent (Hadërgjonaj dhe Hasani) dhe dy të tjerë me mbiemrin Berisha (Valoni dhe Bernardi).
Reagimet e Challandes, ndëshkimi me karton të verdhë
Bernard Challandes ishte shumë i nervozuar dhe pas çdo ndërprerje ankohej tek gjyqtari i katërt për goditjet e dënimit që jepeshin kundër Kosovës. Në minutat e fundit, Challandes u ndëshkua me karton të verdhë.
Problemi i Bernardëve
Bernad Berisha shënoi një gol shumë të bukur ndaj Greqisë, ndërsa pasi shënoi ai iu drejtua me një gjest në drejtim të trajnerit.
Të dy palët folën pas ndeshjes për këtë gjë. Challandes nuk e pranoi, ndërsa Berisha tha që ka vuajtur shumë.
Zënka e Hadërgjonajt me Bakasetas
Në minutën e 85-të të ndeshjes, Florent Hadërgjonaj i kërkon numrit 11 të Greqisë, Bakasetas që të takohen pas ndeshjes, pasi një diskutimi në fushë.
Mbyllet ndeshje, lojtarët kokulur u larguan nga stadiumi
Dy ndeshje, një pikë, një humbje në shtëpi. Futbollistët e Kosovës largohen nga stadiumi kokulur dhe të dëshpëruar me humbjen e pësuar. /Telegrafi/