Kosova ka pësuar humbje nga Çekia në Plzen me rezultat 2-1, humbje që ju jep fund gjasa për të kaluar në Euro 2020 përmes ndeshjeve kualifikuese.
Dardanët nuk kishin paraqitje të mirë aso çfarë ishim mësuar të shohim.
Pjesa e parë ishte tej mase e zbehët duke mos rrezikuar pothuajse asnjëherë, ndërsa e dyta më e mirë.
Telegrafi si gjithmonë sjell prapaskenat e ndeshjeve të Kosovës ku edhe në ndeshjen e djeshme kishte të shumta.
Nga dallaveret me bileta te zona e Dardanëve, deri te akreditimet si gazetar të njerëzve që nuk kanë të bëjnë me gazetarin dhe ato që ndodhën në fushë.
Shumë gazetarë sportivë, por edhe prej atyre që nuk janë
Shume gazetarë sportiv në tribunat e stadiumit “Dosaan Arena”, por çuditërisht FFK kishte akredituar edhe palë të tjera që nuk kanë të bëjnë fare me gazetar sportiv.
Biletat e Dardanëve në tregun e zi
Nuk munguan biletat në tregun e zi, edhe kësaj radhe. Edhe pse ishin ato në numër të kufizuar janë shitur për shifra marramendëse deri në 500 euro. Shitja u bë kryesisht nga njerëz të afërt me FFK-në.
Mga minuta e parë tre lojtarë në nxehje
Arbenit Xhemajli, Florent Hasani dhe Leart Paqarada dalin në nxehje nga minuta e parë. Asnjëri nuk u fut në fushë në këtë takim.
Provokimi i çekëve me flamur serb
Ishte minuta e katërt kur mbrapa golit të çekëve shpaloset një flamur serb. Ai qëndroi gjatë gjithë ndeshjes pothuajse aty, së bashku me një flamur të Kosovës të kthyer mbrapsht.
Kumbon zëri i Dardanëve
Dardanët e kanë dhënë provimin e tyre, pasi në pjesën e parë, kanë qenë tifozëria e vetme që dëgjohej. Shumë shqiptar ka pasur edhe në tribunën VIP.
Nuhiu rrëzon Rashicën, të qeshura në stadium
Minuta e 43-të e ndeshjes. Atdhe Nuhiu rrëzon gabimisht Milot Rashicën gjatë një aksioni gjë që solli të qeshura në stadium.
Provokimet e çekëve dhe përgjigja e Dardanëve
Me të filluar pjesa e dytë tifozët tanë filluan thirrjet: “UÇK, UÇK”, pas provokimeve që i bënë vendasit.
Tifozët çekë të tërbuar me lëndimin e Aro Muric
Lëndimi i portierit Arijanet Muriq në minutën e 60-të, i acaroi tifozët vendas që filluan të hedhin gjësende në fushë. Kapiten i Çekisë, Darida kërkoi që të qetësoheshin.
Goli që na e prishi zëvendësimin
Goli i çekëve ndryshoi zëvendësimin te Kosova. Fillimisht u mendua të futej Ibrahim Dresevic, por me të shënuar çekët golin e dytë, Challandes vendosi ta inkuadroi Rashanin për të sulmuar.
Numri i saktë i shikuesve
Stadiumi Doosan Arena ka një kapacitet prej 11700 ulëseve. Por në stadium ishin një mijë më pak, pasi numri i saktë ishte 10986.
Fundi i ndeshjes solli lot të lojtarët
Shumë lojtarë u panë të zhgënjyer. Kishte prej tyre që nuk mund t’i ndalnin lotët pas përfundimit të ndeshjes.
“Faleminderit, Faleminderit”.
Kanë qenë Dardanët që pas ndeshjes i kanë duartrokitur lojtarët, duke i falënderuar për këtë kampanjë të shkëlqyeshme. Të gjithë brohoritnin: “Faleminderit, Faleminderit”.
Dardanët uruan lojtarët çekë për kualifikimin
Lojtarët çekë dolën rreth stadiumit për t’i përshëndetur tifozët e tyre. Dardanët i duartrokitën lojtarët çekë për t’ua uruar kualifikimin.
Një gjest i jashtëzakonshëm i tifozëve tanë, kundrejt çekëve, që në shumë raste nuk u treguan korrekt./Telegrafi/