Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe veprimtarja e kamotshme, Melihate Tërmkolli, ka thënë se deklaratën e Pavarësisë me 17 shkurt 2008 do të duhej ta lexonte presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu, por kjo u bë e pamundur nga manifestimi i fuqisë politike të Hashim Thaçit.
Prandaj, sipas Tërmkollit, deklaratën e lexoi Thaçi e jo Sejdiu.
“Deklaratën e Pavarësisë do të duhej ta lexonte Presidenti, Fatmir Sejdiu. Por, nuk ndodhi, për shkak të manifestimit të fuqisë politike nga atëherë kryeministri, Hashim Thaçi”, tha Tërmkolli në Ora e Fundit në Klan Kosova.
Ajo ka treguar edhe përse nuk ishte ngritur në këmbë për himnin e Kosovës dhe flamurin e shtetit në ditën kur u aprovuan në Parlament.
“17 shkurti në vitin 2008 është një moment jashtëzakonisht i veçantë, për të gjithë shqiptarët kudo ku kanë qenë, aq më tepër për deputetët që kanë qenë brenda asaj salle ku u bë shpallja e Pavarësisë së Kosovës”.
“Unë nuk jam ngritur në këmbë për flamurin dhe himnin dhe kam votuar kundër, por e them se unë sot e respektoj, sepse e dua dhe e respektoj shtetin tim – prandaj edhe e respektoj edhe himnin edhe flamurin. Por, besoj se flamuri i Dardanisë do të jetë një ditë flamuri i shtetit të Kosovës”.
Tërmkolli tha se do të donte që flamuri i shtetit të Kosovës të ishte propozimi i ish-presidentit, Ibrahim Rugova – Flamuri i Dardanisë.
“Por, propozimi për flamurin e Dardanisë dhe për himnin “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë” nuk u vu asnjëherë në rend dite në Parlamentin e Kosovës”.
“Madje, disa ‘komandanta’ e dogjën flamurin e Dardanisë dhe nuk reagoi asnjë institucion. Aty ishte shqiponja dhe elementet esenciale të historisë sonë kombëtare e politike si Kosovë dhe si shqiptarë”.
Tërmkolli pohoi edhe se 17 shkurt 2008 është padyshim “kontribut i shumë brezave”.
“Edhe unë në ato mundësitë e mia kam provuar të jap një kontribut, mbase modest, në këtë drejtim. Por, do të mbetet data më e rëndësishme në historinë e shqiptarëve”. /Klan Kosova/