Presidenti i ri, Hashim Thaçi, u betua se do të jetë figura unifikuese e politikës së Kosovës, por ai u betua pa praninë e deputetëve të opozitës. Ulëset e tyre mbetën të zbrazëta, derisa zhurma e gazi lotsjellës tashmë janë heshtur, raporton KTV.
Por, jo vetëm opozita e bojkotoi figurën e unitetit. Në betimin e Thaçit nuk ishin të pranishëm as deputetët e partisë në pushtet, të cilët nuk u pajtuan me zgjedhjen e tij edhe më parë.
Deputetët e LDK-së, të cilët munguan sot, ishin: Anton Çuni, Vjosa Osmani, Adem Salihu, Armend Zemaj, Doruntinë Maloku, Alma Lama dhe Arben Gashi.
Hidhërimet mes Hashim Thaçit e familjes së Adem Jasharit duket të jenë më të thella sesa janë prezantuar deri tash. Familja Jashari e bojkotoi, edhe pse më parë e kishte përcjellë këtë ceremoni në rastin e Pacollit e Jahjagës.
Të boshatisura ishin edhe ulëset e dedikuara për familjen Haradinaj, nuk ishte as ish-presidenti Pacolli, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, e as njeri ndër ish-bashkëpunëtorët e tij, dikur kryeministër, Bajram Rexhepi.
Por, aty ishin të gjithë ambasadorët e akredituar në Kosovë, të cilët në fakt ishin të parët që erdhën. Pak minuta pas ceremonisë, Thaçi u ngjit në zyrën e presidentit, që gjendet në të njëjtin objekt, ku Jahjaga ka bërë bartjen e detyrave dhe porosive.