Telegrafi

Prapaçani me linjë të re trefazore

Pas disa dekadave me linjë njëfazore dhe shërbime aspak cilësore të furnizimit me energji elektrike, KEDS ka intervenuar duke ndërtuar linjën e re trefazore në shtyllat e reja të betonit. Kjo ka rritur cilësinë e furnizimit dhe sigurinë

Dekada me radhë Prapaçani i Deçanit, përkatësisht lagja e njohur me emrin “Te Muslimanët” ishte njëfazore.

Vetëm dy përçues furnizonin dhjetëra familje. Tensioni ishte i ulët, duke shkaktuar pakënaqësi te konsumatorët, të cilët assesi nuk mund të kryenin punët e tyre kur vareshin nga furnizimi me energji elektrike. Por, pas privatizimit të Distribucionit kjo gjendje ndryshoi.
KEDS-i intervenoi duke e rregulluar rrjetin e shpërndarjes edhe në këtë pjesë. Aty, është vendosur linja e re trefazore me shtylla të betonit, përderisa kualiteti i shërbimeve është brenda standardeve.

“Po, tash është shumë më mirë. Me linjën e re kemi mundësi të kryejmë të gjitha punët për të cilët nevojitet energjia elektrike”, thotë Shemsedin Shala, konsumator nga Prapaçani.
Sipas zyrtarëve të KEDS-it, tash tensioni i energjisë elektrike për konsumatorët e lagjes “Te Muslimanët” është 220 volt. Rrjeti i ri ka rritur edhe sigurinë e furnizimit, sikurse atë të konsumatorëve.

Intervenimi në këtë pjesë është bërë në kuadër të vendbanimeve të identifikuara me rënie të tensionit. Ky projekt ka nisur në muajin mars, ku janë implementuar 7 projekte në 7 distrikte, përderisa intensiteti është rritur në muajin prill. Projekti parashihet të përfundojë në fund të këtij viti, ku parashikohet kthimi në parametra standard i tensionit të energjisë elektrike për të gjitha vendbanimet e identifikuara në të gjithë Kosovën.

Për implementimin e këtyre projekteve, KEDS ka ndarë një shumë prej 7.5 milionë eurosh, përderisa pritet të përfitojnë dhjetëra-mijë konsumatorë. /Telegrafi/