Telegrafi

Pranvera ’81, rrëfimi i gruas që organizoi demonstratat e studentëve: “Maltretimet më të mëdha i mora nga UDB-ashët shqiptarë”

Zyrafete Manaj, gruaja e cila arriti t’i mbijetojë torturave të burgut të Mitrovicës ka folur për sakrificat e asaj kohe si aktiviste që organizoi demonstratat e studentëve në vitet e 80-ta.

“Kemi bërë gjithçka për lirinë e atdheut, ky ishte qëllimi ynë”, tha Manaj.

Ajo ka thënë se nuk kishte pasur frikë asnjëherë për gjithë organizimet që u bënë për demonstratat e studentëve.

Ajo ka shpjeguar gjithë eksperiencën e saj prej arrestimit të saj gjatë orës së mësimit e deri te momentet e saj në burg.

Ndër të tjerash Zyrafete Manaj ka përmendur edhe maltretimet që ia bënë në burg duke e rrahur.

“UDB-ashët shqiptarë ishin ata që më se shumti më torturuan”, thotë ajo.

Përjetimet e burgut ishin të rënda për të dhe për shoqet e saj, por ato kishin qëllimin e njëjtë.

“Kemi qenë të burgosura, por brenda nesh ekzistonte liria”, u shpreh Manaj.

“Prej zori shkova në Suedi”, tha Manaj që tashmë jeton në Suedi, duke thënë se nuk ishte dëshira e saj ajo që e çoi atje.