Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë u shoqërua vazhdimisht me tensione mes palëve politike.
Nga njëra anë opozita ka kërkuar me këmbëngulje një seancë urgjente ku të diskutohej çështja e Arben Ahmetajt ndërsa ana tjetër, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla e kundërshton kërkesën duke e cilësuar të paligjshme.
Duke qenë se tensionet në kuvend nuk e lejuan kryekomisionerin e KQZ-së Ilirjan Celibashi të bënte raportimin e tij për zgjedhjet lokale të këtij viti, kreu i Grupit Parlamentar i PS-së Taulant Balla propozoi që seanca të ndërpritej e të mblidhej konferenca e kryetarëve ku të diskutohej e t’i jepej zgjidhje kësaj çështje.
Në mbledhjen mazhoranca ka pranuar kërkesën e opozitës dhe është vendosur që seanca për Arben Ahmetaj do të mbahet nesër në orën 10:00 dhe jo sic ishte parashikuar të hënën. /Telegrafi/